Ndërlidhjet

ABRAMOVITZ:"SERBIA SYNON ZHAGITJEN E PROCESIT"


Morton ABRAMOVITZ, ish - emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abramovitz, cilat janë parashikimet tuaja për statusin e Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
Parashikimet e mia kanë të bëjnë së pari me faktin se të dyja palët e përfshira në negociata nuk do të arrijnë ndonjë marrëveshje rreth statusit. Për pasojë çështja do të shkojë në Kombet e Bashkuara ku Grupi i Kontaktit dhe faktorët e tjerë do të paraqesin planin që i jep Kosovës pavarësinë.
Cilat do jenë detajet e këtij plani personalisht nuk jam i sigurt, por disa vende do përpiqen ta shtyjnë sa më shumë një plan të tillë, por drejtimi tashmë është përcaktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni diçka mbi dallimet që ekzistojnë në mesin e vendeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk mund të flas me siguri, por disa vende janë të lëkundura lidhur me gjithë procesin, e padyshim këtu hyn Rusia. Komentet e saj kanë qenë përgjithësisht negative ose kanë njohur shumë luhatje. Megjithatë Rusia nuk do jetë faktor që Kosova të mos ta fitojë pavarësinë. Ka dhe një grup tjetër vendesh që janë të shqetësuara se një pjesë e territorit të një shteti po shkëputet për t'iu dhënë pavarësia.
Pavarësisht këtyre dallimeve qëndrimi i përgjithshëm në Grupin e Kontaktit është se nuk mund të shtyhet më tej marrja e vendimit. Ata e dinë se Kosova de facto është një shtet i pavarur dhe nuk mund të kthehet pas në asnjë formë tjetër ndaj do ta shtyjnë përpara miratimin e një rezolute qe do të njohë pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Faktori ndërkombëtar e ka përsëritur se do që ta shohë zgjidhjen e statusit deri në fund të vitit. Nga ana tjetër më 31 dhjetor përfundon dhe mandati i kreut të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan. Nëse nuk do kemi një vendim të Këshillit të Sigurimit deri në këtë datë a mendoni se zgjedhja e kreut të ri të OKB-së do ta shtyjë procesin e vendimmarrjes për Kosovën?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për shtyrje të mëtejshme. Nëse do ketë ndonjë shtyrje të tillë ajo do jetë pasojë e dallimeve serioze brenda Grupit të Kontaktit. Një shtyrje do të mund të lidhej dhe me shqetësimet për situatën politike brenda në Serbi.
Nga ana tjetër Serbia është ajo që po bën ç'është e mundur për ta shtyrë vendimin për statusin. Dyshoj se Grupi i Kontaktit do t'i marrë parasysh kërkesa të tilla, por natyrisht ka disa vende që mbështesin një shtyrje të procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa ekspertë thonë se coptimi i Kosovës duhet të jetë opcion në tavolinën e bisedimeve, derisa të tjerë e kundërshtojnë duke iu trembur efektit domino në Luginën e Preshevës, Maqedoni, Bosnjë. Cili është vlerësimi juaj?

MORTON ABRAMOVITZ
Është një bindje e përgjithshme në mesin e bashkësisë ndërkombëtare se coptimi i Kosovës është gabim dhe do hapte shumë më tepër probleme. Kjo pasqyrohet dhe në parimet e Grupit të Kontaktit në bazë të të cilave filluan dhe negociatat se nuk do ketë coptim të Kosovës. Në këtë kuptim çdo vendim duhet ta ruajë Kosovën në tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka informacione se Serbia po përpiqet të përdorë arrestimin e Mlladiçit në shkëmbim të favoreve për Kosovën. A është kjo një strategji që do të funksionojë, të paktën me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare?

MORTON ABRAMOVITZ
Arrestimi i Mlladiçit dhe dërgimi i tij në Hagë mund t'i japë shtysë atyre vendeve që duan ta vonojnë procesin për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Personalisht besoj se një gjë e tillë nuk do të mund të ndryshojë drejtimin e përgjithshëm të procesit që është pavarësia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa larg do të mund të shkojë Serbia në pengimin e pavarësisë së Kosovës dhe çfarë taktikash do përdorë?

MORTON ABARAMOVITZ
Taktika aktuale është të shkatërrojnë reputacionin e zotit Ahtisari, në mënyrë që ai të zëvendësohet nga dikush tjetër, çfarë do të thotë shtyrje e gjithë procesit. Por kjo është një rrugë pa krye se herët a vonë Serbia duhet të përballet me vendimin për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që është një vendim i dhimbshëm për Serbinë, por realiteti është realitet. Në këtë rast pyetja shtrohet nëse Serbia do jetë në gjendje të kthejë faqen e politikës nacionaliste të ndjekur në shekullin e 20-të, të bëhet një demokraci e vërtetë dhe të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme për t'iu bashkangjitur Bashkimit Evropian. Momentalisht çështja e Kosovës i lë në hije të gjitha këto hapa të nevojshme për Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni familjar me klasën politike të Kosovës. Si do ta vlerësonit ecurinë e deritashme të kësaj klase?

MORTON ABRAMOVITZ
Kosova ka bërë përparim të dukshëm në pesë vitet e fundit lidhur me zhvillimin e institucioneve, por padyshim ata kanë një rrugë të gjatë përpara. Ata duhet të bëjnë gjithçka është e mundur të mbrojnë interesat e pakicave, të jenë në gjendje të drejtojnë qeverinë, të zhvillojnë ekonominë dhe të krijojnë të gjitha kushtet për të pasur një qeveri funksionale. Është një rrugë e gjatë përpara. Besoj se me marrjen e pavarësisë do kenë më shumë mundësi për një gjë të tillë, por nuk duhet të harrojnë se kanë një numër problemesh serioze për të tejkaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund nga prespektiva e Uashingtonit, cilat kanë qenë mesazhet e këtij të fundit për udhëheqësit e rajonit, kur ka pasur shumë vizita së fundi në SHBA?

MORTON ABRAMOVITZ
Mendoj se mesazhi i Uashingtonit, nisur nga ato që kam dëgjuar është se pavarësia e Kosovës po vjen dhe duhet të mësohemi me këtë fakt. Nga ana tjetër është e rëndësishme të arrestohet Mlladiçi e të dërgohet në Hagë dhe Serbia duhet ta kuptojë se është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Një tjetër mesazh është nxitja e Serbisë që në mënyrë paqësore ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Këto janë mesazhet në parim, por nuk mund të them me siguri se çfarë saktësisht i është thënë zotit Tadiç.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG