Ndërlidhjet

KOSOVA SOLIDARIZOHET ME POPULLIN AMERIKAN PËRVJETORIN E SULMEVE TË SHTATORIT


Albana Isufi, Prishtinë

Kosovarët edhe në përvjetorin e 5- të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington bashkëndjejnë me popullin amerikan, ndërsa e cilësojnë këtë ngjarje si një ndër më tragjiket të ndodhura në historinë moderne të botës.

Kryeqyteti kosovar është mbushur me reklama të mëdha, ku në vend të kullave binjake të shkatërruara në 11 shtatorin e vitit 2001 shihen dy qirinj.
Pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës mëngjesin e sotëm janë rreshtuar për të nderuar me 3 minuta heshtjeje viktimat e sulmeve terroriste. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, theksuan se pavarësisht këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë mbrojtës të paqes dhe demokracisë në tërë botën.

Ministri i Kulturës Astrit Haraçia, në një manifestim të organizuar nën patronatin e kryeministrit Çeku, në bashkëpunim me zyrën e presidentit të Kosovës, Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin komunal të Prishtinës, ka thënë se me këtë organizim Kosova dëshmon edhe një herë fuqishëm solidaritetin me popullin mik amerikan. Haraçia tha se edhe para 5 vjetësh Kosova kishte arsye që ta përjetonte rëndë këtë ngjarje.

“Kishte shumë arsye sepse kjo i kisht endodhur mikut të Kosovës dhe popullit të saj, Amerikës. Dhe miku për mikun kishte arsye të fortë të jetë i pikëlluar", tha ministri Haraçia.

Qytetarët kosovarë 5 vjet pas vazhdojnë të solidarizohen me popullin amerikan. Ismet Mujeci rrëfen se si është ndjerë në 11 shtatorin e vitit 2001.
“Shumë shumë, shumë keq. Shumë e kam ndier, sikur të sulmohej Kosova, njëlloj. Gjithnjë kam respekt dhe i përulem të gjitha viktimave që kanë pësuar më 11 shtator", thotë Ismet Mujeci.

Drita Krasniqi thotë se kur ka dëgjuar për sulmet është tronditur thellë.
“Kam qenë në shok kur e kam parë atë, nuk kam menduar se nuk është e vërtetë, kam menduar se ka qenë gënjeshtër. Jam ndier keq shumë keq, pata një traumë dhe mendoj se çdo njeri i cili e ka parë atë është traumatizuar", thotë zonja Krasniqi.

Kushtrim Podrimcaku thotë se sulmet terroriste mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka ndjerë sikur të ishin bërë në Kosovë.
"Jam përkrahës shumë i madh i Amerikës dhe kam qarë me thënë të drejtën kur ka ndodhur kjo", thotë Kushtrim Podrimcaku.

Albin Matoshi mendon se bota pas sulmeve të 11 shtatorit ka filluar ta humbasë sigurinë.
“Nuk besoj se është më e sigurtë. Prej momentit kur ka ndodhur ajo, aty u luhat çdo siguri e mundshme që ka mundur të ekzistojë", thotë Albin Matoshi.

Ndryshe, Ministri i Kulturës ka bërë të ditur sot se institucionet e Kosovës në shenjë të përkujtimit të përjetshëm për viktimat e 11 shtatorit dhe popullit amerikan, kanë marrë disa iniciativa për ngritjen e një obelisku.
Ndërkohë, gjatë tërë ditës me aktivitete të ndryshme në Kosovë janë përkujtuar sulmet e 11 shtatorit. Gjatë ditës së sotme, Filharmonia e Kosovës mban koncert në nderim të viktimave të 11 shtatorit. Po sot ndahen çmimet për filmat më të mirë, në festivalin 9/11, i cili në mënyrë tradicionale organizohet për të shënuar sulmet e 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG