Ndërlidhjet

KFOR: SITUATA E SIGURISË ËSHTË E QETË


Zijadin Gashi, Prishtinë

KFOR-i do të vazhdojë të mbetet forca e sigurisë në Kosovë edhe pas përcaktimit të statusit, ka thënë sot komandanti i kësaj force ushtarake në Kosovë, gjenerali gjerman Roland Kather, pas një takimi që zhvilloi me komandantin e TMK-së, gjeneralin Sylejman Selimi. Kjo është faza vendimtare për Kosovën kur edhe po vendoset statusi i saj, dhe se unë nuk kam asnjë indikacion se KFOR-i do të ndryshojë rolin që ka, tha gjenerali gjerman:

“KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq sa të ketë nevojë për të dhe se unë nuk kam kurrfarë indikacione se do të ketë shkurtim apo ndryshim në numrin e ushtarëve që shërbejnë aktualisht në Kosovë”, tha gjenerali Kather. Në përgjithësi, në Kosovë ka një qetësi dhe siguri për të gjithë, tha gjenerali Kather. Një gjendje e tillë, sipas tij, po mbretëron edhe në pjesën veriore të Kosovës:

“Unë isha dje në pjesën veriore, ku i kam vizituar ushtarët e mi, duke shëtitur edhe këmbë dhe deri më tash unë nuk kam asnjë indikacion se në veri situata kontrollohet nga ndonjë forcë paralele”, tha komandanti i KFOR-it.

Ndërkohë, zëdhënësi rajonal i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Myller tha sot për radion Evropa e lirë se gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës, pas një incidenti që ndodhi para dy javësh në pjesën veriore të Mitrovicës, kur nga një sulm me granatë dore qenë lënduar disa persona, tani është e qetë. Por, sidoqoftë, ura mbi Ibër që ndan qytetin në veri e jug mbetet ende e mbyllur për komunikacionin civil:

“Për momentin, ura është e hapur vetëm për veturat qeveritare dhe jo për ato civile”, thotë Larry Myller, duke mos parashikuar asgjë se kur do të lejohet kalimi i lirë i veturave civile mbi urën e Ibrit. Marrja e një vendimi të tillë u përkasin instancave më të larta sesa ato në Mitrovicën," tha Myller.

Ndryshe, gjatë takimit të sotëm ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe atij të TMK-së, është përmendur sërish e ardhmja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Lidhur me vizionet e shprehura të institucioneve kosovare që TMK-ja të shndërrohet në armatën e Kosovës, gjenerali Kather tha se kjo çështje u përket vendimeve politike dhe do të vendoset si gjatë takimeve në Vjenë ashtu edhe në Nju Jork.



XS
SM
MD
LG