Ndërlidhjet

SHBA-TË PËRKUJTOJNË VIKTIMAT E SULMEVE TË 11 SHTATORIT


Në Shtetet e Bashkuara sot po shënohet pesëvjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nga të cilat, vetëm për disa orë, u vranë afro 3 mijë vetë.

Me këmbanat që filluan të bien në orën 8:46 minuta sipas kohës së Nju Jorkut, u shënua simbolikisht pesëvjetori i sulmeve të para të 11 shtatorit 2001, kur aeroplani e goditi njerën kullë të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në këtë kohë u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të atij momenti. Pas shtatë minutash, banorët e Nju Jorkut, për të dytën herë, e mbajtën edhe një minutë heshtje për ta shënuar edhe përplasjen e aeroplanit të dytë që kishte goditur kullën tjetër të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Presidenti Bush e mbajti një minutë heshtje në një shtëpi zjarrëfiksash disa milje më tutje. Dje gjatë vizitës që i bëri vendit, ku më përpara qëndronin dy kullat e larta, presidenti Bush u deklaroi reporterëve:

"Ne kaluam kohën këtu duke i parë disa nga skenat e tmerrshme brenda këtij vendi fantastik, që po ripërtrihet. Kjo më përkujtoi se ende ekziston armiku që do të dëshirojë që prap të shkaktojë llojin e njëjtë të dëmeve", tha presidenti Bush.

Sot Xhorxh Bush vizitoi edhe dy vendet e tjera ku aeroplanët e rrëmbyer u përplasën; në Pentagon, ku rrëmbyesit e rrëzuan aeroplanin në njërën pjesë të selisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe në Pensilvani, ku aeroplani u rrëzua pas ndërhyrjes së udhëtarëve. Në ceremoninë e përkujtimit në Pentagon ishin edhe zëvendëspresidenti Dick Cheney dhe Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumslfed.

"Ne kujtojmë pikëllimin, të cilin të gjithë ne e patëm për bashkëkombësit tonë, pikëllim që së shpejti u shndërrua në vendosmëri. Para pesë vitesh, kur pjesa më e madhe e vendit dhe e botës mbanin zi, armiqtë tanë festuan. Ata synonin ta ndryshojnë mënyrën tonë të jetës dhe t'a shkatërrojnë besimin që ne kemi në njëri tjetrin," tha zotit Rumsfeld.

Mbrëmë në një intervistë për televizionin amerikan, zëvendëspresidenti Cheney, pos tjerash, tha:
"Mendoj se ne kemi bërë punë shumë të mirë për ta siguruar vendin kundër terroristëve. E dini se jemi në pesëvjetorin e sulmeve, por brenda kësaj periudhe nuk ka pasur sulm tjetër në Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk është e rastësishme, sepse kemi bërë punë të jashtëzakonshme këtu në sigurinë e brendshme, në programin e vëzhgimit të terrorizmit, në programin e kontrollit financiar, që e kemi zbatuar dhe për shkak të politikës sonë të të burgosurve", tha zëvendëspresidenti amerikan.

Liderët e Partisë Demokratike opozitare e fajësojnë qeverinë për dështimin në zënien e liderit të Al-Kaidës, Osama bin Laden dhe për angazhimin në luftën e shtrenjtë në Irak, përkundër mungesës së lidhshmërisë së drejtëpërdrejtë të Bagdadit me sulmet e 11 shtatorit 2001.

Lideri i pakicës demokrate në senat, Harry Reid, u tha reporterëve se "ndikimi i zëvendëspresidentit Cheney në politikën e jashtme amerikane, e ka bërë Amerikën më pak të sigurtë".

Në video inçizimim më të ri nga njeriu i dytë i Al-Kaidës, Ajman al-Zavahiri, të transmetuar në pesëvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, paralajmërohet se në rrugë janë "zhvillime të reja". Ky video-inçizim, që pjesërisht u transmetua në rrjetin televiziv CNN, po ashtu kërkon nga myslimanët që ta shtojnë rezistencën e tyre kundër Shteteve të Bashkuara.














XS
SM
MD
LG