Ndërlidhjet

ROMANENKO:"LOJA E MADHE RRETH KOSOVËS"


Sergei ROMANENKO, analist në Institutin për Ekonomi/Moskë/

EVROPA E LIRË
Si e komentoni deklaratën e presidentit Vladimir Putin për të përditshmen "Financial Times" se Rusia mund të shfrytëzojë të drejtën e vetos në rastin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

ROMANENKO
Fillimisht do thoja që në rast të vetos, Rusia do ta bartë përgjegjësinë e plotë për situatën në rajon. Çfarë mund të ofrojë tjetër Rusia pos gazit, naftës dhe armëve? Kjo është një pyetje e madhe. Me sa e dij unë, Rusia nuk ka planin e vet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe as mundësinë për ta realizuar atë. Prandaj kjo veto do të thotë vetëm konzervim i situatës që vazhdimisht do të keqësohet.
Ne rusët, Kombet e Bashkuara apo NATO-ja mund ta shpallim rastin e Kosovës si rast univerzal, por kjo nuk do të thotë se konfliktet tjera do të zgjidhen njëlloj, sepse ato i kanë shkaqet dhe zgjidhjet e veta.
Sidoqoftë, Kosova dhe Ballkani tash nuk janë prioritet i politikës ruse, dhe nuk shoh arsye përse Rusia do të dëshironte t'i përkeqësonte marrëdhëniet e saj me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas meje, pavarësia nuk është zgjidhja më e mirë, por zgjidhje tjetër tash nuk ka. Askush nuk mund t'ua sigurojë serbëve pushtetin në Kosovë, dhe në anën tjetër, askush nuk mund t'i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga shteti i tyre.

EVROPA E LIRË
Atëherë ku është qëllimi i Putinit kur ai kërcënohet me veto? Mos ndoshta dëshiron të përfitojë në planet ndërkombëtare, si p.sh anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë apo të tjera?

ROMANENKO
Nuk do ta përjashtoja as këtë mundësi. Rreth Kosovës po zhvillohet një lojë e madhe, por druaj se Rusia nuk do ta fitojë këtë lojë. Rusia nuk do të fitojë asgjë nga ajo që mendon, për sa i përket Osetisë apo Abkhazisë. Këto konflikte dallohen nga njëri-tjetri dhe zgjidhen në mënyra tjera. Nuk ka kurrfarë zgjidhje universale.

EVROPA E LIRË
Po a mendoni se kërcënimi i Rusisë me veto në Këshillin e Sigurimit është real?

ROMANENKO
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka thënë se kërcënimi është larg nga realizimi. Pra, supozoj se Rusia mund të kërcënohet me veto, por megjithate nuk do të votojë kundër, thjesht nga fakti se nuk mund ta mbajë përgjegjësinë për situatën në Ballkan.

EVROPA E LIRË
A do ta pranonte Rusia pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën?

ROMANENKO
Është e vështirë të thuhet, sepse sipas meje, Rusia thjesht nuk ka ndonjë interes të madh në këtë rajon. Në fakt, për ne është njësoj.

EVROPA E LIRË
Përse atëherë Putini bën deklarata të tilla?

ROMANENKO
Kjo është një lojë e madhe, sepse Rusia përpiqet ta luajë rolin e një superfuqie, ashtu si ish Bashkimi Sovjetik. Krejt kjo që ndodh është pjesë e kësaj loje.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG