Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT DEBATOI PËR KOSOVËN


Radio Evropa e Lirë Kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker tha, pos tjerash, se "procesi i statusit e dominon agjendën politike në këtë moment". Përfaqësuesja e Britanisë tha se "pavarësia e Kosovës është njëri nga opsionet", ndërsa ajo e Shteteve të Bashkuara tha se "të dy palët duhet të jenë realiste lidhur me përfundimin e procesit për status". Sanda Rashkoviq Iviq, përfaqësuese e Serbisë, i kundërshtoi "afatet artificiale" duke theksuar se shpejtimi nervoz mund ti kushtoj shtrenjtë gjithë rajonit, vetë Kosovës dhe Bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë seancë mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.

Gjatë fjalimit të tij në Këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryedministratori i Kosovës, Joakim Ryker tha, pos tjerash, se procesi i statusit e dominon agjendën politike në këtë moment dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë derisa të përcaktohet statusi final i Kosovës. Në këtë aspekt, zoti Ryker theksoi:
- Bindja e përgjithshme në Kosovë është se tash se po fillon një një faqe e re e historisë së Kosovës dhe shumicën e popullit, kjo e bënë të shpresoj por edhe e bënë nervoz pasi përfundimi është ende i paqartë.

Ai shtoi se vazhdon të bëhet progres dhe Unmiku dhe institucionet e Kosovës vazhdojnë të punojnë së bashku për ta përmirësuar qeverisjen në Kosovë. Por, sipas tij, ngarkesë për të gjitha aktivitetet paraqet paqartësia lidhur me të ardhmen. Kosova ka nevojë të lirohet nga kjo paqartësi dhe të lëvizë përpara, tha Joakim Ryker në fjalimin e tij në debatin në Këshillin e Sigurimit për Kosovën.

Mëtutje zoti Ryker foli edhe për çështje të sigurisë:
- Krimet e dhunshme duhet të gjykohen kudo që ato ndodhin dhe të dënohen me forcën e plotë të ligjit. Por, përpjekjet e shpeshta që Kosova të portretizohet si vend ku joshqiptarët, e veçanërisht, serbët e Kosovës, janë nën sulme të vazhdueshme dhe janë viktima të krimeve ditore, janë krejtësisht të paarsyeshme. Ato nuk e reflektojnë realitetin në terren.

Ai u shpreh edhe për pozitën e serbëve:
- Po, serbët e Kosovës janë në pozitë të vështirë. Ata frigohen për të ardhmen e tyre dhe ata tash nuk e dijnë se kujt ti besojnë. Ata ishin të mbyllur për dy vjet e gjysmë ndaj pjesëmarrjes në mënyrë aktive në punën e Kuvendit të Kosovës ose të qeverisë. Por, izolimi nuk është përgjigjje, por Integrimi.

Në diskutimin e saj përfaqësuesja britanike, pos tjerash, tha:
- Pavarësia e Kosovës është njëri nga opsionet, disa thonë edhe i vetmi, që do të mundësonte paqe të përhershme dhe stabilitet në paqe. Njëherësh, ata të cilët kërkojnë këtë përfundim, duhet të japin siguri praktike te minoritetet se Kosova multietnike do të bëhet realitet dhe si e tillë do ta zë vendin përkatës në Evropë.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara ka ftuar të dy palët që pas 8 muajsh të bisedimeve për çështjet teknike të arrijnë marrëveshje për decentralizim, për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe për të drejtat e minoriteteve. Ajo tha se shtyrja e arritjes së vendimit nuk është e favorshme për asnjëren palë, por mund të sjellë jostabilitet. Ajo tha se vendimi duhet të merret deri në fund të vitit:
- Të dy palët duhet të jenë realiste lidhur me përfundimin për procesin e statusit. Kosova duhet të mbetet multietnike, ndërsa zgjidhja të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Nuk ka kthim në situatën e para vitit 1999, nuk ka ndarje dhe nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë vend tjetër apo pjesë të tij.

Në diskutimin e tij përfaqësuesi i Rusisë tha se "zgjidhja për Kosovën duhet të jetë universale dhe vetëm nëse arrihet me marrëveshje dhe nuk paraqet precedent për rajonet e tjera të krizave, mund të miratohet në Këshillin e Sigurimit".

Përfaqësuesja e Serbisë në këtë seancë ishte Sanda Rashkoviq - Iviq. Ajo i kundërshtoi "afatet artificiale", duke theksuar se çdo shpejtim nervoz mund ti kushtoj shtrenjtë gjithë rajonit, vetë Kosovës dhe Bashkësisë ndërkombëtare.
- Kjo nënkupton se është e papranueshme për ta dënuar shtetin e njohur ndërkombëtarisht të Serbisë me 15% të territorit të saj, me qëllim që të krijohet shteti i dytë shqiptar në Ballkan.

Në këtë debat mori pjesë edhe përfaqëusesi i Shqipërisë:
- Qeveria e Shqipërisë vazhdon të mbështesë dialogun ndërmjet përfaqëssuesve të shqiptarëve dhe të serbëve dhe fton të dy palët që të reflektojnë qasje realiste.
XS
SM
MD
LG