Ndërlidhjet

PRISHTINË


Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Theodora Bakoyannis, ka thënë sot në Prishtinë se qeveria greke mbështet procesin negociues për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe shpreh gatishmëri për të bashkëpunuar me Kosovën në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm. Gjatë një vizite që Bakoyannis po i bën Kosovës, ajo është pritur nga udhëheqësit më të lartë vendor e ndërkombëtar në Prishtinë. Shefja e diplomacisë greke, tha se Kosova duhet të dalë nga rrethi i konfliktit dhe se qeveria greke mbështet negociatat që do të sjellin deri te një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët në bisedime, pra si për Prishtinën ashtu dhe për Beogradin.
Kurse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se ka paraqitur para diplomates greke vizionin e qartë të Prishtinës për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
“Unë shtrova atë që kemi pjesë të mandatit tonë, që zgjidhja e statusit të Kosovës të jetë pavarësia dhe kërkova që në këtë aspekt të jap ndihmë edhe Greqia, si një kusht i rëndësishëm i ecjes përpara të Kosovës dhe rajonit”, tha Sejdiu.
Diplomatja Bakoyannis është takuar edhe me liderin e PDK-së Hashim Thaqi, atë të ORA-së Veton Surroi dhe bartësin e Listës Serbe, Oliver Ivanoviq.
Shefja e diplomacisë greke , Theodora Bakoyannis është pritur në një takim të ndarë dhe nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker.
XS
SM
MD
LG