Ndërlidhjet

logo-print

BE: PRANIA NË KOSOVË PAS STATUSIT DO PËRCAKTOHET NË PARTNERITET ME VENDORËT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Roli i pranisë së ardhshme ndërkombëtare civile në Kosovë pas përcaktimit të statusit, është diskutuar sot në një takim të zhvilluar ndërmjet presidentit Fatmir Sejdiu me përfaqësuesin e Havier Solanës, Torbjorn Sohlstrom dhe të dërguarit të BE-së për planifikimin e këtij roli, Casper Klunge.

Përqendrimi i rolit të BE-së në Kosovë pas statusit thuhet se do të jetë kryesisht në fushat e policisë e drejtësisë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se qëndrimi i Prishtinës zyrtare është që kjo prani të jetë e lehtë dhe të ketë një rol ndihmues për vendorët dhe jo rol administrues, siç kishte UNMIK-u për këto afër shtatë vitet e fundit në Kosovë.

“Mund të them qëndrimin e institucioneve të Kosovës, që ne e kemi që të jetë një prani e lehtë ndërkombëtare, e cila do të koncipohej si e tillë në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe do ta ketë karakterin e vetë tranzitor. Kjo është ajo që ne e dëshirojmë që të mos ketë rolin që UNMIK-u e ka pasur deri më tani", tha presidenti Sejdiu, sipas të cilit prania e ardhshme e BE-së në fazën e parë do të ketë si synim të vetin kalimin me sukses të përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, duke i dhënë kështu fund misionit të Kombeve të Bashkuara dhe të përgatisë fazën e dytë kur, sipas tij, prania e BE-së do të kishte si qëllim të vetin ofrimin e ndihmës për punën e institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë që përfaqësuesi i Havier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom tha se roli i pranisë së ardhshme evropiane në Kosovë do të përcaktohet në partneritet dhe bashkëpunim me autoritetet kosovare.

“Ne duam të përgatisim praninë tonë të ardhshme në Kosovë në bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë me Ekipin e Unitetit dhe autoritetet e Kosovës, ngase besojmë se kemi një qëllim të përbashkët. Ne bëjmë çmos që të ndihmojmë Kosovën në zgjidhjen e statusit dhe lëvizjen e saj drejt integrimeve evropiane”, tha Sohlstrom.

Ndërkaq Casper Klunge, i cili që nga qershori po i prin një ekipi të ekspertëve të BE-së në misionin e planifikimit të rolit të Bashkimit Evropian pas statusit, tha se për shumë fusha në polici e drejtësi tashmë është arritur harmonizim i qëndrimeve me kosovarët, por se çfarë autorizimesh do të ketë kjo prani, sipas tij, është ende herët të flitet.

“Nuk jemi ende në atë shkallë që të dimë saktë se çfarë roli do të kemi, në asistencën tonë që ofrojmë në fushën e policisë e drejtësisë. Por, atë që e dimë është se autoritetet kosovare do të kenë përgjegjësitë kryesore, kurse ne do të mbetemi këtu që të ndihmojmë, sidomos në ato fusha ku kompetencat nuk janë shumë qartë të përcaktuara”, theksoi Casper Klunge.

Roli dhe prania ndërkombëtare në Kosovë pas statusit, sipas presidentit Sejdiu është diskutuar këtë javë dhe gjatë takimeve me zëvendësen e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit Rosemarie di Carlo dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephen Lehne. Edhe gjatë këtyre takimeve, Sejdiu tha se pala kosovare ka kërkuar një prani që do të ketë rolin këshilldhënës dhe jo rol administrues.



XS
SM
MD
LG