Ndërlidhjet

KRASNIQI: ZGJIDHJA E STATUSIT BRENDA VITIT DO TË NDIHMOJË SI SHQIPTARËT, DHE SERBËT


Milazim Krasniqi, analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, sot pritet vazhdimi i bisedimeve për çështjet teknike që kanë të bëjnë me statusin. Cilat janë gjasat që këto të jenë bisedimet e fundit për këtë çështje?

MILAZIM KRASNIQI
Mendoj se bisedimet në Vjenë për të ashtuquajturat çështje teknike janë tejzgjatur jashtëzakonisht shumë. Mendoj se strategjia e ekipit negociator të Ahtisarit ka qenë që palët të cfiliten, të lodhen me këtë proces të tejzgjatur, në mënyrë që të mos kenë energji të mjaftueshme për reagime të mëdha në fund. Ndoshta kjo ka qenë edhe për të përgatitur opinionin publik në Kosovë dhe në Serbi për koncesionet që duhet të bëhen nga të dy palët. Sidoqoftë pas takimit të sotëm besoj se nuk ka më hapësira që të vazhdojnë negociatat për çështjet teknike, sepse në fakt edhe janë konsumuar hapësirat e koncesioneve. Dhe kur them që janë konsumuar hapësirat e koncesioneve kam parasysh veçmas Kosovën, e cila edhe me decentralizimin, por edhe me kornizën për komunitete dhe sidomos me këtë të fundit, mendoj se ka bërë maksimumin për krijimin e hapësirave për jetë normale të komuniteteve në Kosovë dhe në këtë kontekst padyshim edhe për komunitetin serb.
Kështu që unë besoj se pas këtyre negociatave, ndoshta duhet të kalohet dhe sigurisht do të kalohet në një kualitet të ri, i cili do të sublimohet në raportin e negociatorit Marti Ahtisari, i cili me siguri do të japë piketat kryesore për zgjidhjen e statusit, që edhe ashtu konsiderohet se është i domosdoshëm që të saktësohet deri në fund të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi do të jetë një nga temat e nxehta të diskutimeve, ndërkohë që pala kosovare thirret në vijat e kuqe, përtej të cilave nuk mund të kalohet. Cilat janë vlerësimet tuaja për këto çështje, meqë edhe e përmendët çështjen e koncesioneve?

MILAZIM KRASNIQI
Unë mendoj se çështja e decentralizimit që nga fillimi është vënë në baza jo të mira, jo normale dhe prandaj edhe ka patur komplikime dhe keqkuptime. Mendoj se çështja e decentralizimit që në fillim është shtruar si një proces parcial, domethënë për të përfshirë vetëm një pjesë të Kosovës dhe është bërë mbi baza etnike, duke u përpjekur që të krijohen hapësira të veçanta për komunitetin serb. Në këtë mënyrë decentralizimi që thellësisht është çështje politike, është trajtuar si çështje teknike, pra ka ndodhur një shpërndërrim konceptual dhe llogjik. Kjo pastaj ka prodhuar me thënë të drejtën dhe frustrime në popullsinë e Kosovës, gjë që u pa dhe në demonstratat e Vitisë dhe të Gjilanit.
Mendoj se çështja e decentralizimit nga ekipi negociator i Kosovës në fillim është shpërfillur si problem, sepse delegacioni i Kosovës sa herë kthehej nga Viena flisnin me triumfalizëm dhe me terma sportivë. Por çështja e decentralizimit është dashur që në fillim nga ekipi negociator i Kosovës të trajtohet në një formulë si decentralizim për pavarësi. Po të trajtohej si i tillë, pra koncesionet që bëhen për komunitetin serb ta kenë kompenzimin në pavarësi, unë mendoj se shumë më lehtë edhe qytetarët e Kosovës do të pranonin lëshimet që janë bërë, do të kishin më shumë mirëkuptim për ekipin negociator të Kosovës. Kështu si ka ndodhur, mendoj se tashmë vërtet janë prekur dhe janë tejkaluar vijat e kuqe, kështu që çdo lëshim që do të bënte më tutje ekipi negociator i Kosovës do të rrezikonte kredibilitetin e vet dhe unë jam i bindur se do të rrezikonte edhe stabilitetin në Kosovë, sepse indikacionet tashmë janë dhënë nga protestat në Viti dhe në Gjilan, por edhe nga diskutimi i ashpër në Kuvendin e Kosovës. Kështu që mendoj se çështjes së decentralizimit i duhet vënë pikë në ato kuota ku në fakt delegacioni i Kosovës ka mbërritur, megjithëse edhe ato janë në fakt kuota kritike sepse për mendimin tim më shumë e krijojnë një entitet politik serb në Kosovë sesa krijojnë komuna serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si e vlerësoni propozimin për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës si qytet me dy komuna në kuptim të riintegrimit apo ndarjes së qytetit.

MILAZIM KRASNIQI
Unë mendoj se ne tani paguajmë faturën e injorimit afatgjatë që i është bërë çështjes së Mitrovicës. Shtatë vjet çështja e Mitrovicës është injoruar, sepse ai qytet ka qenë i ndarë që nga viti 1999. Por të gjithë janë shtirur se nuk është ashtu, madje ka patur raste siç e ka bërë Mihal Shtajner kur shkonte atje për të shpallur ribashkimin e qytetit. Mendoj se në këtë drejtim Mitrovica do të jetë një gur i rëndë në qafën e Kosovës, sepse pavarësisht se ai do të jetë qytet me dy komuna, në të vërtetë ai do të jetë një qytet i ndarë dhe do të ketë dy komuna të ndara, të cilat do të udhëhiqen me politika të ndryshme. Prandaj në këtë aspekt mendoj se e vetmja mënyrë për të ndalur këtë trend të rrezikshëm të ndarjes, i cili në një variant të keq mund të çojë edhe tek konfrontimet, është që komuniteti ndërkombëtar të bëjë një presion më të madh mbi Beogradin, që të shmangë ambicjet e shtuara të Beogradit për të marrë nën kontroll, jo vetëm Mitrovicën por edhe pjesën veriore të Kosovës dhe komunat në brendësi. Pra që çështja e Mitrovicës edhe me këtë formulë të keqe të trajtohet vetëm ndërmjet qytetarëve të Mitrovicës. Nëse do të shmangej ndikimi i Beogradit, nëse do të shmangeshin lidhjet vertikale me Beogradin, mendoj se megjithatë me një proces sado të ngadaltë dhe të vështirë dhe afatgjatë ndoshta do të mund të shpresohej në integrimin e qytetit, i cili përndryshe nëse mbetet i ndarë de facto do të pamundësojë krijimin e një shteti funksional të Kosovës, do të pamundësojë dhe stabilitetin politik, por do të zprapsë edhe investimet e huaja, sepse në një vend që ka kriza latente, shumë vështirë mund të ketë nxitje të investimeve të huaja.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e Kosovës edhe ashtu kanë shfaqur shqetësim për zgjidhjen e statusit brenda vitit. Si do të reflektohet zgjidhja e statusit në pozicionin e serbëve të Kosovës, sidomos lidhur me shqetësimet për sigurinë në veri?

MILAZIM KRASNIQI
Unë mendoj se çështja e Kosovës vërtet duhet të marrë një epilog deri në fund të këtij viti. Nëse nuk merr epilog deri në fund të këtij viti, kam frikë se do të ketë komplikime, sepse durimi i shqiptarëve ka mbërritur në pikën kritike. Kosova po kalon nëpër një fazë drastike të varfërisë ekstreme, nëpër një fazë të qeverisjes së keqe, të qeverisjes që ka elemente të korrupsionit dhe në këtë aspekt të gjithë janë duke duruar dhe duke pritur për hir të statusit. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se jo vetëm serbët por edhe shqiptarët janë në pikat e fundit të durimit. Sa u përket serbëve, unë mendoj se edhe atyre epilogu do t'u bëjë mirë sepse do t'u heqë iluzionet një pjese të tyre, që e kanë për kthimin një ditë të bukur të Beogradit për qeverisje në Kosovë, kështu që do tëfillojnë të ri dimensionojnë jetën e tyre politike dhe sociale në Kosovë. Ata kanë humbur shumë këto vite për arsye se nuk kanë punuar për të krijuar një lidership të vetin, i cili do t'i përfaqësonte interesat e tyre në mënyrë autentike, por kanë mbetur në një bazalitet të panatyrshëm me Beogradin dhe tani janë në një konfuzion të madh. Pra edhe sa u përket shqiptarëve por edhe serbëve, epilogu, statusi përfundimtar i Kosovës do t'u bëjë mirë që të dy palëve, sepse do të ndihmojë në njërën anë për përmirësimin e qeverisjes, sepse shpresohet se do të ketë zgjedhje të tjera, me ligje të tjera zgjedhore, ashtu që të përftohet një qeverisje më e mirë, dhe në anën tjetër edhe serbëve do t'u ndihmojë që ta kuptojnë realitetin, të pajtohen me realitetin dhe të fillojnë ta ndërtojnë jetën e tyre në një Kosovë të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Por zoti Krasniqi, sa e siguron dinamika aktuale zgjidhjen e procesit deri në fund të vitit?

MILAZIM KRASNIQI
Dinamika aktuale mund të ndryshojë varësisht nga strategjia që ndjek Ahtisari dhe komuniteti ndërkombëtar. Ata mund ta ndërrojnë këtë dinamikë ta zemë në takimin e 22 shtatorit, kur pritet që kryenegociatori Ahtisari të raportojë në Këshillin e Sigurimit. Prej termave të raportimit të tij do të varet dinamika. Atje ai ndoshta mund të japë piketat themelore për statusin e ardhshëm. Mesa kam unë informacione pritet që atje të marrin pjesë edhe presidenti Tadiç dhe kryeministri Çeku. Dhe nëse edhe ata shpalosin qëndrimet e Serbisë dhe të Kosovës, atëhere do të kemi një përshpejtim të procesit. Është e vërtetë që veçmas diplomacia amerikane vazhdimisht insiston që fundi i këtij viti të përcaktojë dhe fundin e statusit. Pak a shumë me këtë pajtohen të gjithë përveç Rusisë. Por besoj se do të krijohet një konsensus ndërkombëtar, prandaj edhe dinamika mund të ndryshojë varësisht prej asaj se sa do të krijohet konsensus ndërmjet shteteve kryesore që përbëjnë Grupin e Kontaktit.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG