Ndërlidhjet

logo-print

NË KUVEND MUND TË RIKTHEHET PËR DISKUTIM LIGJI PËR GJUHËT ZYRTARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Komuniteti ndërkombëtar e ka pritur me zhgënjim mosmiratimin e amendamentit për zyrtarizmin e gjuhës turke në Prizren, si shtesë në Ligjin mbi Gjuhët Zyrtare në Kosovë, thotë koordinatori për standardet, Avni Arifi.

Ligji mbi Gjuhët Zyrtare bie në fushën e 13 standardeve më prioritare që i ka përcaktuar Prishtinës, Grupi i Kontaktit. Zhgënjimi i Grupit të Kontaktit me vendimin e Kuvendit të Kosovës është pasqyruar më pas në një deklaratë të përbashkët, ku Kuvendit dhe deputetëve kosovarë u është bërë e qartë se përparimi dhe avancimi i të drejtave të pakicave, është element kyç në përcaktimin e statusit të Kosovës.

Koordinatori Arifi thotë se nuk mund ta parashikojë se cilët do të ishin hapat e Kuvendit, pasi që ai është institucioni më i lartë në Kosovë, ndonëse miratimi i këtij amendamenti do të shënonte ecje përpara me përmbylljen e planit prej 13 pikave të Grupit të Kontaktit:

“Vendimi i Kuvendit të Kosovës ka gjetur kryeministrin në takime të ndryshme në Departamentin e Shtetit dhe atje është pritur me një zhgënjim jashtëzakonisht të madh, kurse ne si qeveri, përveç një pakënaqësie kështu të shprehemi, mendojmë se është vendim i parlamentit dhe nuk mund të them asgjë se çfarë do të jenë format e tjera të veprimit, nëse do të ketë rishqyrtim nga zyra ligjore apo ndonjë veprim tjetër. Sido që të jetë, shpresoj që në të ardhmen e afërt kjo të korrigjohet”, theksoi Arifi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi thotë se Grupi i Kontaktit ka kërkuar miratimin e Ligjit për Gjuhët Zyrtare në Kosovë dhe askund nuk është përmendur amendamenti për zyrtarizmin e gjuhës turke në Prizren, ku ky komunitet jeton në numër më të madh. Grupi Parlamentar i LDK-së, që përbën numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, ishte ai i cili kundërshtoi amendamentin e propozuar për zyrtarizmin e gjuhës turke në Prizren, duke besuar se ligji ekzistues ishte në harmoni të plotë më standardet evropiane dhe nuk kishte nevojë për ndërhyrje në të. Por, pas reagimeve ndërkombëtare, deputeti Alush Gashi nuk e përjashton mundësinë e kthimit në rishqyrtim të këtij amendamenti:

“Ne prej Grupit të Kontaktit e kemi pas udhëzimin që ta miratojmë ligjin; ligjin e kemi miratuar, e nëse është kërkesë e tyre për miratim të ndonjë amendamenti specifik që ata e kërkojnë, unë besoj se ai hasë mbështetje”, tha Alush Gashi.

Bazuar në Kornizën Kushtetuese, pas votimit të ligjeve në Kuvend, sidomos atyre që kanë të bëjnë me pakicat, shefi i UNMIK-ut është ai i cili ruan të drejtën e intervenimit në vendimet e institucioneve kosovare, kur vlerësohet se me këto vendime janë cënuar të drejtat e pakicave.

Mirëpo, sot në administratën ndërkombëtare përgjigja e vetme ishte se zyra ligjore e ka në shqyrtim vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe pret që të deklarohet gjatë ditëve të ardhshme. Burime të tjera kanë theksuar se shefi i UNMIK-ut do të presë hapat në vijim të Kuvendit, duke shpresuar se Kuvendi i Kosovës do të rishqyrtojë vetë vendimin e marrë javën e kaluar, në mënyrë që të mos ketë nevojë për ndërhyrje nga ana e autoritetit të kryeadministratorit ndërkombëtar.





XS
SM
MD
LG