Ndërlidhjet

KULLAT- TRASHËGIMI KOMBËTARE E DËMTUAR NGA LUFTA


Bekim Bislimi, Prishtinë

Kullat shqiptare janë objekte monumentale që paraqesin një pjesë të trashëgimisë kulturore në Kosovë, ndërtimi i të cilave daton që nga fillimi i shekullit të 18-të. Ndërtesat 2 apo tre katëshe, të ndërtuara nga gurët e gdhendur me mjeshtëri, si dhe nga guri dhe tjegullat, në kohën kur janë ndërtuar kanë kryer funksionin e objekteve të banimit, si dhe atë të mbrojtjes nga sulmet nga jashtë.

Megjithatë sot në Kosovë, numri i kullave të cilat mbijetuan luftën gjatë viteve 1998-1999 janë të pakta, thotë Burbuqe Deva, udhëheqëse e Departamentit për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës Sporteve dhe Çështjeve jorezidente.

"Kulla percepton një kulturë tonën, një trashëgimi tonën autoktone, e cila është është punuar kryesisht prej mjeshtërve tanë shqiptarë dhe për këtë arsye është e njohur. Gjatë luftës kemi patur raste të dëmtimeve të llojeve të ndryshme. Ata nuk kursyen as kulturën tonë, goditën kulturën tonë, trashëgiminë tonë, me ç'rast goditën edhe identitetin tonë. Nuk ka rast të kullave që ka mbetur e paprekur", thotë zonja Deva.

Burbuqe Deva shton se gjatë viteve 1998-1999 nga forcat serbe janë shkatërruar ose dëmtuar 826 kulla në tërë territorin e Kosovës. Kullat që kanë mbijetuar kohën dhe luftën janë të pakta dhe disa nga to gjenden në komunën e Deçanit.

Arkitekti Shkëlzen Shehu, zyrtar i Kuvendit komunal të Deçanit, i cili që nga vitet 2000, në kuadër të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Trashëgimisë Kulturore të kësaj komune, ka qenë i angazhuar në projektet për restaurimin e kullave në këtë komunë, pohon se të gjitha kullat, ashtu si dhe monumentet e tjera të kulturës, kanë qenë të goditura nga forcat serbe.

"Çdo kullë ka qenë objekt monumental. Në bazë të inçizimeve të vitit 2000 del që numri i kullave në Komunën e Deçanit ka qenë 263. Dëmtimet më të mëdha që kanë pësuar kanë qenë djegiet gjatë luftës, granatimet, e kështu me radhë. Përafërsisht 260 janë dëmtuar gjatë luftës", thotë zoti Shehu.

Një nga kullat e pakta që kanë shpëtuar nga rënimi dhe pas luftës është restauruar është dhe kulla trekatëshe e Miftar Osdautajt, nga fshati Isniq i komunës së Deçanit. Sipas zotit Osdautaj kulla e tij me çardak të gurit, është ndërtuar 286 vjet më parë, nga paraardhësit e tij. Ndërkaq edhe sot kryen funksionin për të cilin është dedikuar, por edhe si monument kulture.

Pronari i një kulle tjetër të ngjashme prej guri, por me çardak të drurit, siç e quajnë vendasit është dhe Isa Kukleci, po nga fshati Isniq.
"Kulla ime është e vjetër 260 vite dhe vyen për vendin tonë, për popullin tonë. Është njëlloj që kur është ndërtuar me odën e burrave dhe dhomat dhe sallonin poshtë. Gjatë luftës i ra një granatë në qoshe të murit, por nuk shkaktoi dëm dhe kulla shpëtoi", thotë zoti Kukleci.

Arkitekti Shehu thekson se kullat si objekte monumentale kanë paraqitur trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, por edhe shembull të arkitekturës së mjeshtërve shqiptarë. Deri tani në komunën e Deçanit janë restauruar pesë kulla të tilla, të cilat njëkohësisht janë futur nën mbrojtje ligjore.

"Zakonisht kullat janë ndarë në disa grupe, mirëpo grupet kryesisht të kullave janë me çardak prek guri dhe druri. Ato prej druri datojnë më herët, kurse ato prej guri më vonë. Funksioni i tyre kryesor ka qenë banimi dhe mbrojtja kuptohet në kohët e mëhershme. Në kullat që kanë shpëtuar deri tani zhvillohet jeta ende, kurse një numër i madh i tyre ka filluar të shkatërrohet për shkak të mundësive shumë të vogla të investimeve për mirëmbajtjen apo rindërtimin e tyre", thotë Shkëlzen Shehu.

Arkitekti Shehu thotë se investimet për restaurimin dhe ruajtjen e një kulle arrin deri në 100 mijë euro, ndërkaq që Kuvendi komunal i Deçanit nuk ka mundësi investimi. Sipas tij edhe institucionet qeveritare të kulturës nuk kanë mundur të investojnë.

Ngjashëm thotë edhe drejtuesja e Departamentit për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës, zonja Deva, e cila pohon se pas luftës, me investimet e Agjencionit Evropian për Rindërtim, organizatës suedeze SIDA, Ministrisë së Kulturës të qeverisë së Kosovës dhe disa organizatave joqeveritare të huaja, janë restauruar dhe konservuar gjithsej 9 kulla në tërë territorin e Kosovës.

"Një konservim i një kulle kushton shumë shtrenjtë, Është çështje materiale, duke u nisur prej buxhetit që kemi momentalisht, ose që i ndahet Ministrisë së Kulturës. Por ne shpresojmë që përmes fondacioneve të ndryshme të gjejmë mundësinë dhe rrugën të investojmë në pjesën më të madhe që mund t'ja vlejnë dhe për të cilat do të mendojmë se mund të jetë edhe një zhvillim ekonomik më i madh, që mund të përdoren ose të shfrytëzohen për turizëm", thotë zonja Deva.

Sidoqoftë nga i gjithë sfondi i kullave si objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare në Kosovë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, në gjendje funksionale sot janë vetëm një përqind e tyre.





XS
SM
MD
LG