Ndërlidhjet

INSTITUCIONET VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE DËNOJNË SULMIN NË KLINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Incidentet e dy - tre javëve të fundit në Kosovë dhe ai i mbrëmshmi në Klinë, dëmtojnë të ardhmen e Kosovës, ka thënë sot zëvendës shefi i UNMIK-ut, Steeven Schock. Pas takimeve të ndara që Shock zhvilloi sot me kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha dhe liderin e Listës serbe, Oliver Ivanoviq, ai kërkoi nga lidershipi i Kosovës që të marrë situatën nën kontroll dhe t’u sqarojë qytetarëve të Kosovës, si procesin negociues ashtu dhe decentralizimin dhe rëndësinë që kanë këto procese.

Incidenti i mbrëmshëm në Klinë, ku katër serb morën lëndime si pasojë e një shpërthimi, është i shëmtuar dhe jam absolutisht i shqetësuar, sepse e gjithë ajo që është bërë në Klinë, me rastin e mbrëmshëm është rrezikuar, tha Schock. Këto zhvillime gjithsesi që do të ndikojnë edhe në procesin negociues, theksoi zëvendës kryeadministratori ndërkombëtar.

“Duhet të jesh i verbër dhe i shurdhër për të mos parë apo ndier se nuk e kemi pasur një muaj të mirë. Është koha që lidershipi t’i marrë gjërat nën kontroll dhe të dalë jashtë dhe ta ushtrojë atë kontroll në mënyrë pozitive me gjithë njerëzit e Kosovës”, theksoi Schock. Ai tha se pret nga ekipi i unitetit të reflektojë unitet dhe të dalë menjëherë në terren për të biseduar me njerëzit.

“Procesi i sotëm në Nju Jork është një proces që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kurse liderët e Kosovës duhet të fokusohen në Kosovë dhe punët që u kanë mbetur t’i kryejnë këtu," theksoi Schock.
Në anën tjetër, kryeparlamentari kosovar Kolë Berisha, duke e dënuar rastin e mbrëmshëm, tha se Klina ishte shembull për të mirë si për kthimin e të zhvendosurve ashtu dhe për ndërtimin e bashkëjetesës.

“Klina është qyteti i parë dhe komuna e parë në Kosovë për kthimin e të shpërngulurve. Përkundër faktit që kjo komunë është marrë shembull për të mirë, dhe pikërisht tash në Klinë na ndodh diçka e tillë, kjo na bën tash që të mendojmë pak më tepër”, theksoi Berisha.

Kolë Berisha tha se nuk ishte interpretuar drejt në media lidhur me një deklaratë të tij në Lubjanë, ku thuhej se është shumë reale se nëse populli i Kosovës nuk realizon qëllimin, sigurisht se ka me pas revolta dhe atë shumë të arsyeshme.

“Ka raste kur edhe deklaratat tona keqinterpretohen ose keq përdoren. Diçka e tillë është krijuar edhe me deklaratën time që e kam pas në Lubjanë dhe këtu dje para gazetarëve. Nuk shkon në të njëjtin kanal me deklaratat e Kushtunicës, ka një përmbajtje krejt tjetër dhe është realitet se tensionet mund të rriten në Kosovë, nëse shtyhet procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës, por kjo nuk do të thotë dhe nuk kam pas për qëllim të them se drejtohet kundër Serbisë”, tha Kolë Berisha. Përderisa Steeven Schock ka kërkuar nga liderët kosovarë që të kenë kujdes me deklaratat e tyre për opinionin.

“Shpresoj se liderët, qeveria dhe ekipi i unitetit do të jenë të kujdesshëm në lidhje me fjalët dhe mesazhet që i zgjedhin tani, të cilat drejtohen popullit të Kosovës”, tha Schock. Sidoqoftë, Schock tha se nuk sheh asnjë mundësi të ndërlidhjes së deklaratave të fundit të Kolë Berishës me incidentin e fundit në Klinë. Kurse, lideri i Listës Serbe Oliver Ivanoviq tha se deklaratat si ajo e zotit Berisha i cili vjen nga Klina, mund të implikojnë situata të pakëndshme dhe nuk duhet të paragjykohet se kanë apo nuk kanë ndikim në akte të tilla. Ivanoviq tha se lidershipi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi dhe të mos flasë vetëm për statusin dhe standardet.

“Institucionet e përkohshme duhet të jenë shumë të përgjegjshme. Ato nuk janë në gjendje që të kontrollojnë situatën. Deklaratat e tyre për status dhe standarde nuk janë të bollshme, ata duhet të punojnë më shumë në terren”, tha Ivanoviq.

Incidenti i mbrëmshëm në Klinë është dënuar dhe nga institucionet e tjera. Në një deklaratë me shkrim, qeveria e Kosovës dënon fuqishëm sulmin kriminal ndaj katër qytetarëve të Klinës të komunitetit serb dhe kërkon nga organet e rendit zbardhjen me urgjencë të rastit, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij akti qyqar.
Ky akt ka për qëllim komprometimin e bashkëjetesës në Kosovë, e pranuar me përkushtim të plotë, si nga banorët e Klinës, ashtu edhe nga qytetarët e Kosovës, thuhet ndër tjera në deklaratën e qeverisë së Kosovës.



XS
SM
MD
LG