Ndërlidhjet

BERISHA: AMBIVALENCA STATUSORE HAP RRUGËT E DESTABILIZIMIT


Ibrahim Berisha, analist politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, anëtarë të delegacionit të Kosovës në bisedimet për decentralizimin dhe për çështje të tjera teknike lidhur me statusin, kanë thënë se nuk ka mbetur gjë tjetër për t’u diskutuar, për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet me palën serbe. Si e shihni ju këtë procers më tutje?

IBRAHIM BERISHA
Bisedimet për çështje teknike janë në fakt të përfunduara, pasi që pozicionet e të dyja palëve janë shumë të qarta. Kanë qenë të qarta pothuajse prej fillimit, por është dashur që të gjenden disa pika përafruese, nëse mund të gjendeshin nga udhëheqësit negociatorë ndërkombëtarë. Tani pozicionet besoj se janë të ngurtësuara dhe për këtë çështje do të vendosin ata, që edhe i kanë organizuar këto takime, të cilat në fakt nuk u përcaktuan kurrë nëse ishin procesi negociator apo vetëm takime për të marrë pikëpamjet e ndryshme të palëve, që nuk mund të pajtoheshin për çështjen, në këtë rast të decentralizimit dhe mbrojtjes së monumenteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si do të reflektohet ky proces që ka ndodhur në kalimin në fazën tjetër të bisedimeve drejtpërdrejt për çështjet e statusit?

IBRAHIM BERISHA
Pala serbe synon ta zhagisë procesin dhe me shtimin e kërkesave, apo me ngurtësimin në pozicione që janë të papranueshme, jo vetëm për palën shqiptare, por edhe për atë ndërkombëtare, synon që ta zhvlerësojë tërë procesin dhe në këtë proces faktikisht zhvlerësues, të përfitojë në krizën e brendshme që e ka në njërën anë dhe njëkohësisht ta stabilizojë imazhin e saj shumë të dëmtuar ndërkombëtar. Procesi i ardhshëm do të jetë po në këtë binar konflikti, por mendoj se është koha që bashkësia ndërkombëtare të marrë një qëndrim të prerë, nëse nuk dëshiron që i gjithë procesi të dalë jashtë kontrollit, që është rreziku më i madh dhe që e synon faktikisht pala serbe. Mirëpo edhe gjendja e brendshme në Kosovë, ajo sociale, veçmas e vështirë, mund të jetë një faktor që mund të sjell te ndonjë situatë e papritur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha po çfarë mund të pritet nga Grupi i Kontaktit dhe mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, në kuptimin e dinamikës së ardhshme të procesit për përcaktimin e statusit?

IBRAHIM BERISHA
Nuk mund të thuhet prerazi se këto do të jenë ato takimet finale ku pozicionet do të pastrohen në të dyja palët për të marrë një vendim bashkësia ndërkombëtare. Nga ajo që mund të shihet nga jashtë, bashkësia ndërkombëtare tashmë e ka një qëndrim për Kosovën dhe ky qëndrim është një proces jo i përfunduar për pavarësinë, por me krijimin faktikisht të një baze të re të procesit, në mënyrë që në këtë fazë të ndjeshme, të dyja palët të mos ndihen tërësisht humbëse apo tërësisht futuese. Do të thotë se bashkësia ndërkombëtare kam frikë se do ta ndjekë pikërisht këtë filozofi, që nga ky proces të mos dalë askush fitues dhe askush humbës, sepse do të ishte humbje e madhe për palën shqiptare, e cila edhe pëson më së shumti, pasi është fjala për një gjendje shumë të vështirë në shumë plane, tash po shihet se po del edhe problemi i sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, po flitni për propozimin që statusi i Kosovës të mbetet i papërcaktuar tërësisht, domethënë jo nën Serbi, por as pavarësi e plotë. Si do të reflektohej kjo edhe në qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare?

IBRAHIM BERISHA
Nuk shtrohet dilema nëse Kosova do të jetë e pavarur apo nëse do të pranohet prej shumë vendeve, por tash për tash ajo që shihet dhe imponohet në opinionin ndërkombëtar dhe zyrtar, është se çfarë do të ndodhte po të bëhej një veprim i tillë apo i atillë. Tashti është problemi se më shumë po diskutohet për pasojat e mundshme mbas një veprimi apo mosveprimi, sesa për aktin, i cili duhet të zgjidhë një problem dhe mendoj që mosmarrja e një vendimi të prerë për të pranuar pavarësinë e Kosovës pa dilema, do të krijojë mundësinë që Serbia në njërën anë dhe ata që e përkrahin Serbinë, këtë pavarësi gjithmonë ta shikojnë si një akt individual dhe në anën tjetër edhe problemet që mund ta pasojnë këtë aspekt do të vijnë duke u shtuar, dhe elementi serb në Kosovë pastaj do të jetë element problemor në kuptimin e instrumentalizimit nga Beogradi, por ndonjëherë edhe nga përkrahja e ndonjë faktori ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në procesin aktual, në zhvillimet aktuale, kur mund të përmbyllet, cila do të jetë dinamika e përmbylljes së këtij procesi për përcaktimin e statusit?

IBRAHIM BERISHA
Një proces tërësisht i mbyllur nuk mund të pritet shpejt – mund të pritet një ripozicionim sa i përket ndërtimit të elementeve kryesore për pavarësinë e Kosovës, kështu që askush nuk mund të parashohë në këtë situatë, se në cilën datë do të ketë një vendim lidhur me zgjidhjen e statusit përfundimtar. Por po them që ky do të jetë një hap sigurisht përpara, i cili pastaj do të sjellë edhe hapa të tjerë varësisht prej efektizimit të këtij hapi të parë, që mund të jenë hapa të shpejtë pozitivë, por mund të ketë edhe probleme, të cilat dalin gjithmonë kur mendohet se për pavarësinë e një vendi duhet të participojnë dy entitete që janë në konflikt të papajtueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, ju përmendet disa herë edhe çështjen e sigurisë në Kosovë. Cilat mund të jenë implikimet dhe çfarë do të jenë efektet dhe shqetësimet e sigurisë në Kosovë, gjatë kësaj faze përfundimtare të zgjidhjes së statusit?

IBRAHIM BERISHA
Siguria po shihet se është e brishtë në Kosovë dhe nuk është aq stabile sa është thënë. Janë shumë faktorë që ndikojnë në këtë situatë të brishtë. Mbi të gjitha është çështja që në Kosovë nuk kontrollohet siguria nga qendra, nga Prishtina, në tërë territorin mendoj. Në momentin që pjesë të tëra janë jashtë kontrollit real, virtual po, por real jo, atëherë mundësitë e implikimit edhe nga ato territore në hapësirat e tjera janë shumë mëdha, kështu që problemi i sigurisë mund të eskalojë nëse nuk ndërmerren hapa vendimtarë që kufijtë e Kosovës të jenë vërtet kufij ku do të kontrollohet, ose ndalohet ajo që mund të shkaktojë destabilitet apo pasiguri brenda. Kështu që, me këta kufij dhe me këtë gjendje, në disa pjesë periferike të Kosovës ku hyn e del gjithkush dhe askush nuk jep llogari për asgjë, nuk mund të ketë një proces afatgjatë dhe të sigurt për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG