Ndërlidhjet

MOORE:"RUSIA NUK ËSHTË E INTERESUR PËR KOSOVËN, AJO KA LLOGARI TË TJERA"


Patrick Moore, analist i Radios "Evropa e Lirë"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, fuqitë botërore të mërkurën e autorizuan të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara që të propozojë një plan përfundimtar për statusin e Kosovës, si dhe për të arritur një zgjidhje deri në fund të vitit, për të cilën thanë se asnjëra palë nuk do të mund ta bllokonte në mënyrë unilateriale. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Kjo është pritur prej shumë kohe. Mendoj se për të gjithë ishte e qartë që këto bisedime nuk do të çojnë asgjëkundi, sepse janë si një dialog ndërmjet të shurdhërve. Ajo që ndodhi ishte që zoti Ahtisari shkoi në Kombet e Bashkuara dhe kërkoi autorizim që të procedojë drejt një marrëveshjeje ndoshta brenda vitit 2006 dhe rrjedhimisht plani i tij mund të pritet mbase në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit. Ky është hapi i fundit në një proces i cili filloi në verë të vitit 2005, kur u bë e qartë për amerikanët dhe për të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që statusi i pazgjidhur politik në dhe përreth Kosovës nuk mund të vazhdojë. Nëse do të vazhdonte nuk do sillte gjë tjetër pos destabilizimit dhe ndoshta një dhune tjetër si ajo që patëm në mars të vitit 2004. Vjeshtën e vitit 2005 u prezantua raporti i Kai Eides, i cili u sanksionua nga Kofi Anan dhe që më tej i çoi gjërat në gjendjen e tanishme, kryesisht përmes idesë që statusi i pazgjidhur nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe se duhet arritur përparim në këtë çështje. Mendoj se kjo është ajo drejt të cilës po shkon zoti Ahtisari dhe pritja ime personale është që do të kemi një pavarësi të kushtëzuar deri në fund të vitit 2006.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët e Serbisë janë zotuar se kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova. A është kjo vetëm retorikë zgjedhore apo diçka që sërisht mund të sjellë tensione në Ballkan?

PATRICK MOORE
Kjo është më shumë retorikë zgjedhore. Ka patur një problem lidhur me bisedimet për Kosovën që në fillim, thjesht për faktin se përderisa politikanët serbë e dinë që kanë përpara zgjedhjet dhe procesi zgjedhor nuk ka përfunduar, ata nuk mund t'ia lejojnë vetes që të jenë fleksibël rreth Kosovës, pavarësisht faktit nëse duan apo jo. Kur flasim për retorikën e tyre, ajo po bëhet gjithnjë e më nervoze tani që po u bëhet e qartë se janë duke humbur në Kosovë. Dy nga politikanët më nervozë, zoti Koshtunica dhe zoti Drashkoviq, të cilët sapo patën rezultate shumë të ulëta preferencash në sondazhet e opinionit publik, po flasin shumë agresivisht me qëllim të përmirësimit të pozicionit të tyre në sytë e votuesve serbë. Sigurisht që nuk ka asnjë shans që ushtria serbe të ndërmarrë ndonjë gjë, siç bënë në vitet e '90-ta. Shumica e gjeneralëve të atyre ditëve janë ose në Hagë, ose duke iu fshehur Hagës. Serbia ka shumë për të humbur nëse do të provonte ndonjë gjë të tillë dhe nëse do tentonin të bënin ndonjë veprim të dhunshëm, ose zyrtarisht, ose privatisht në mënyrë të fshehur, duke formuar milici të llojeve të ndryshme ose diç të ngjashme. Në këtë rast ata do të kishin probleme serioze me Bashkimin Evropian, që në planin afatgjatë është e vetmja gjë që mund të shpëtojë Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ditë më parë paralajmëroi se Moska mund të përdorë veto në Këshillin e Sigurimit. A mendoni se Rusia do të mund të përdorte veton në rastin e Kosovës?

PATRICK MOORE
Rusia është e interesuar për shqetësimet e saj të mëdha gjeopolitike, të cilat janë shumë afër kufijve të saj. Këto janë rajonet si Abkhazia apo Osetia Jugore në Gjeorgji dhe Transnjestri në Moldavi. Ata nuk janë realisht të interesuar për Kosovën, pos shfrytëzimit të saj si mjet për të bërë pazarllëk. Pyetja është se si do ta përdorin atë dhe pse. Kanë folur kohët e fundit për Kosovën si një shembull për konfliktet e përmendura mësipër. Por ajo që nuk i tregojnë audiencës së tyre në Rusi dhe në zonat përreth është që Kosova me kushtetutën e vitit 1974 të ish Jugosllavisë kishte të drejta pothuajse të barabarta me ato të republikave të tjera federale, përkatësisht të 6 ish - republikave që tash janë të pavarura. Ne e dimë që asnjë prej këtyre rajoneve, as Abkhazia apo Osetia Jugore, nuk kanë patur ndonjëherë ndonjë status të tillë. Nëse doni të shihni se çfarë është e rëndësishme për Rusinë mjafton të vizitoni faqet e agjencive ruse të lajmeve dhe aty të kërkoni për subjektin e Kosovës. Rezultati i kërkimit do ishte një numër citatesh të njerëzve të rëndësishëm, të gjithë duke e përmendur këtë çështje të rajonit të Ballkanit jo për rëndësinë e saj në vetvete, por për lidhjen e saj me këto rajone kufitare me Rusinë. Pra nuk janë të interesuar për Kosovën apo për ndonjë gjë tjetër në Ballkan, përveçse për interesat e tyre. Nëse ndonjë person në Beograd apo tjetër kund ka ide "romantike" për këtë le të kujtojnë që për më shumë se 150 vjet, njerëzit që kanë drejtuar Rusinë, qoftë nga Shën Petërburgu apo Moska, e kanë alternuar mbështetjen e tyre midis Serbisë dhe Bullgarisë, të dyja shtete ortodokse, të dyja shtete sllave, të dyja shtete që kishin pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, të dyja shtete që donin të kryesonin në Ballkan. Moska e ka alternuar mbështetjen për këto vende midis tyre në linjë me interesat e vetë Rusisë dhe jo me interesat e këtyre shteteve.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG