Ndërlidhjet

MILIQ:"BEOGRADI I PANIKOSUR RRETH ZHVILLIMEVE NË KOSOVË"


Jelena MILIQ, Forumi për Marrëdhënje Ndërkombëtare /Beograd/

EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, diplomatët perëndimorë gjithnjë e më shpesh deklarojnë se procesi i përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës hyn në fazën përfundimtare.
Si do ta përshkruanit atmosferën politike në Beograd?

JELENA MILIQ
Atmosfera politike në Beograd është kapluar nga paniku. Fitohet përshtypja se ekipi negociator serb jo vetëm që nuk e ka patur planin B, që opinionit t'i shpjegojë si shkojnë gjërat, por as vetë nuk ka besuar dhe nuk ka kuptuar se në çfarë drejtimi po shkon procesi i përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës. Gjithë ajo që tash po ndodh në Serbi, kryesisht bëhet për përdorim të brendshëm politik dhe deri diku është në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Por ajo që zyrtarët serbë kurrsesi nuk munden ta kuptojnë është se gjithë ato deklarata që shihen dhe dëgjohen, nuk mund të jenë diametralisht të kundërta nga fjalët që ata u thonë zyrtarëve ndërkombëtarë apo kur në Vjenë negociojnë për statusin të Kosovës.
Unë nuk jam dakord me disa vlerësime se gjithçka është njësoj, por mungon vetëm Millosheviqi. Ka një ndryshim të madh nga vitet e 90-ta, kur në Serbi krijohej një atmosferë shumë e ngjashme me këtë të sotmen. Dallimi është se tash në Bosnje dhe Kosovë ndodhen trupat ndërkombëtare, ndërsa forcave të armatosura u është thyer boshti kurrizor. Serbia sot mund t'i shkaktojë problem vetëm vetes, dhe jo rajonit. Ky është një lehtësim i madh për bashkësinë ndërkombëtare dhe për qytetarët e Kosovës, por fatkeqësisht nuk është lehtësim për ne, qytetarët e Serbisë. Paraqitja e papërgjegjshme e realitetit para opinionit serb, është një çmim shumë i madh që e paguan Serbia. Në vend të na thonë se çka në të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999, në vend që të na thonë se ndërhyrja e NATO-s nuk kishte për qëllim marrjen e Kosovës dhe humbjen e Serbisë, por pengimin e terrorizmit shtetëror, ajo që tash thuhet në rastin më të mirë vjen nga presidenti Boris Tadiq, i cili thotë se raportet ndërkombëtare kanë rënduar mbi Serbinë, kështu që tash Kosova do të ndahet nga Serbia dhe serbët duhet ta pranojnë këtë realitet.

EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se "Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova".
Çfarë është komenti juaj për këtë?

JELENA MILIQ
Nëse do të isha e disponuar mirë, këtë deklaratë do ta interpretoja në kuptimin se në Kosovë do të mbeten të jetojnë një numër i madh serbësh, ndërsa Serbia, ashtu si çdo shtet që ka diasporën dhe pjesëtarët e vet përtej kufinjve, do të përpiqej t'u mbrojë atyre vlerat kulturore, gjuhën, arsimin, kurse bashkëpunimi ekonomik të bëhej sa më intenziv.
Por nëse më duhet të jem objektive, atëherë druaj se kjo është shprehje e pafuqisë së plotë të qeverisë së kryeministrit Vojisllav Koshtunica që opinionin në Serbi ta ballafaqojë me mungesën e vizionit politik dhe shtetëror për të pranuar realitetin e ri, dhe pastaj, në bazë të këtij realiteti, të shihet cilat mund të jenë interesat objektive afatgjata dhe të realizueshme të Serbisë, që nuk do të ishin në kundërshtim me aspiratat verbale të qeverisë së Koshtunicës dhe pohimet e saj se ajo me të vërtetë i dëshiron integrimet euroatlantike.

EVROPA E LIRË
Kuvendi i Serbisë ka vendosur që në kushtetutën e ardhshme, Kosova të trajtohet si pjesë "integrale" e Serbisë, pa marrë parasysh epilogun e negociatave për statusin, si dhe të mbahet referendum në të cilin do të vendosej sipas "vullnetit të popullit".
Si i shihni këto propozime?

JELENA MILIQ
Opinioni serb dhe analistët janë mjaft të ndarë rreth kësaj situate më të re. Unë do ta citoja ekspertin e çështjeve kushtetuese, profesorin Vojin Dimitrijeviq, i cili ka vlerësuar se lënia e Kosovës si pjesë e territorit në preambulën e kushtetutës, bëhet vetëm për skenën e brendshme politike në Serbi, sepse preambula nuk paraqet pjesë operative të kushtetutës, kështu që kjo vetëm është një nga mënyrat për të mashtruar opinionin serb.
Por gjithçka varet edhe nga mënyra e leximit të këtij paragrafi pas përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës. Nëse udhëheqësia e ardhshme politike do të ketë vizion, atëherë atë do ta interpretojë si një detyrim moral për t'i mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë dhe vlerat kulturore të Kishës Ortodokse Serbe atje. Por, në asnjë mënyrë t'i prishë marrëdhëniet bilaterale dhe ndërkombëtare, qoftë në Bashkimin Evropian apo më gjerë.
Mendoj që është shumë mirë që opinioni kosovar dhe zyrtarët e Kosovës nuk i kushtuan shumë kujdes kësaj. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse arsyeja tjetër përse u ndërmor kjo nismë është qëllimi sistematik i Partisë Demokratike të Serbisë dhe para së gjithash i radikalëve, me qëllim që opinioni kosovar dhe zyrtarët e Kosovës të provokohen dhe të bëjnë gjëra, të cilat nuk do të ishin në interesin e tyre.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG