Ndërlidhjet

SHBA lëshon alarm global të udhëtimit


Paris
Paris

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar alarm global të udhëtimit për qytetarët e tyre, në përgjigje të “kërcënimeve të rritura terroriste”.

Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “informacionet aktuale” sugjerojnë se grupi i Shtetit Islamik, Al-Kaida, Boko Harami dhe të tjerë vazhdojnë “të planifikojnë sulme terroriste në rajone të shumta”.

Alarmi thuhet se do të mbetet në fuqi deri më 24 shkurt të vitit 2016.

Franca, Rusia Mali dhe disa vende të tjera kanë përjetuar sulme vdekjeprurëse gjatë muajit të kaluar.

Byroja Federale e Hetimeve, apo FBI, pohon se nuk ka kërcënim specifik terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara, por organet lokale dhe federale të zbatimit të ligjit janë në gatishmëri të lartë, në prag të Festës së Falënderimeve, që shënohet këtë të enjte.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka bërë të ditur për një aplikacion të ri në telefonat mobilë, i cili mund të shkarkohet nga qytetarët, me qëllim që të përmirësojnë aftësitë e shtetit për të luftuar terrorizmin. Fushata e re, e quajtur “Shoh diçka, dërgoj diçka”, synon të inkurajojë njujorkezët që të raportojnë për aktivitete të dyshimta.

Kemi rritur gatishmërinë tonë pas sulmeve në Paris dhe do të vazhdojmë të jemi vigjilentë kundër atyre që duan të përhapin frikë dhe dhunë”, ka thënë guvernatori Cuomo.

Rreth 3.6 milionë amerikanë pritet të fluturojnë në destinacionet e tyre të pushimeve gjatë Festës së Falënderimeve.

Alarmi i udhëtimit i këshillon qytetarët amerikanë që “të ushtrojnë vigjilencë kur ndodhen në vende publike ose përdorin transport”.

Ata po ashtu këshillohen që të shmangin turmat e mëdha ose vendet e mbushura me njerëz.

Alarmi global i udhëtimit nga Shtetet e Bashkuara është i pazakonshëm, por jo i rrallë.

Këshillë e ngjashme është lëshuar dy herë në vitin 2011 – pas vrasjes së Osama Bin Ladenit dhe në 10-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit. Një alarm tjetër ka pasur edhe në gusht të vitit 2013.

Ndërsa, alarmi më i fundit ka qenë për Krishtlindjet e kaluara, në përgjigje të një sulmi në Sidnej të Australisë.

Paralajmërimet e tilla të gjera janë kritikuar në të kaluarën për krijim të frikës.

Evropa po ashtu mbetet në gjendje të gatishmërisë së lartë, veçanërisht Belgjika.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Brukseli do të mbetet edhe një javë nën alarmin më të lartë të kërcënimit të sigurisë, për shkak të frikës për sulme terroriste, të ngjashme me ato në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta. (v.tela)

XS
SM
MD
LG