Ndërlidhjet

Arbitrazhi në kontestet e bizneseve


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave, për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë.

Për ndihmë në zgjidhjen e këtyre kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve, në vitin 2011 janë hapur dy qendra të arbitrazhit, që funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Përfaqësues të këtyre subjekteve ekonomike, thonë se që nga themelimi, këto qendra kanë zgjidhur disa raste, ndonëse jo në numër të madh, pasi ende mungon vetëdijesimi i duhur i bizneseve rreth rëndësisë që kanë qendrat e arbitrazhit.

Kontestet komerciale, bizneset kosovare do të mund t'i zgjidhin përmes këtij Tribunali të arbitrazhit, pa iu drejtuar gjykatave.

Arian Zeka, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përmes këtyre institucioneve oda ekonomike mundohet që të kontribuojë sado pak në lehtësimin e barrës gjyqësore dhe në përmirësimin e zbatueshmërisë së kontratave në Republikën e Kosovës.

“Ajo që është me rëndësi të potencohet se po marrim informacione se gjithnjë e më tepër kompanitë e sektorit privat dhe kompanitë në përgjithësi në Kosovë po fusin klauzolat për zgjidhjen e kontesteve për mes metodave alternative që në këtë rast për mes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit nëpër kontratat e tyre. Pra nëpër marrëveshjet e tyre dhe ky është hapi i parë i rëndësishëm”, thotë Zeka.

Ndërkaq, Berat Rukiqi, këshilltar i Bordit në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se ky proces ka filluar nga zeroja, në kuptimin e reformës së sistemit dhe në përgjithësi ka dhënë efekte.

Ai tregon se një nga kontestet e zgjidhura ka qenë në mes një kompanie nga Serbia dhe të Kosovës.

“Raste tashmë ekzistojnë, jo ndoshta drejtpërdrejt me të mëdhenjtë, por janë raste që kanë filluar të krijojnë një kulturë që pastaj edhe të tjerët ta trajtojnë futjen e klauzolës në kontratat e arbitrazhit. Pra ne e masim suksesin në dy aspekte, sa ka filluar të futet kjo si klauzolë, dhe e dyta kemi filluar të trajtojmë edhe në bazë të numrit të rasteve”, thekson Rukiqi.

Organizata ndërkombëtare vazhdimisht kanë konstatuar se në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë.

Në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes në Kosovë” për vitin 2011, është thënë se zgjidhja e një kontesti tregtar mes bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës, zgjat 420 ditë.

Marrëveshje për arbitrazhin në fund të vitit të kaluar Odat Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë kanë nënshkruar në Bruksel dy marrëveshje, me asociacion e odave ekonomike si motra evropiane, të cilat pritet t’i kontribuojnë forcimit të bashkësive të biznesit nga të dyja shtetet.

Ndryshe, autoritetet kosovare ka kohë që kanë identifikuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore në vende të ndryshme të rajonit.

Sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore.
XS
SM
MD
LG