Ndërlidhjet

Përdorimi i mjeteve piroteknike shqetëson qytetarët


Fishekzjarre në Prishtinë, 2013
Fishekzjarre në Prishtinë, 2013

Në prag festash në fundvit, në Kosovë kanë hyrë mbi 65 mijë kilogramë fishekzjarre, thonë autoritetet doganore. Ato thonë se krahasuar me vitet e kaluara është shënuar një rënie e importit të këtyre produkteve.

Mirëpo, qytetarët ankohen nga hedhja e pakontrolluar e fishekzjarrëve në qytete, dhe druajnë për pasojat e përdorimit të tyre.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se gjithnjë në prag të festave të fundvitit sheshet të cilat i frekuentojnë shndërrohet në vende, siç thonë, ‘të frikshme’ nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

Fatmire Sinani, një qytetare e cila jeton në qendër të Prishtinës, thotë që mjetet piroteknike, edhe para fillimit të festave, kanë filluar të bëhen të bezdisshme për të dhe familjen e saj.

“Ka shumë ndezje të mjeteve piroteknike, hedhja e tyre në mënyrë të pakontrolluar po shqetëson fëmijët, gratë dhe të gjithë. Nuk do të duhej të kishte kaq shumë ndezje, por ja që ka shumë”, thotë ajo.

Ibadetja, një qytetare tjetër, thotë se do të duhej të festohej pa fishekzjarre.

“Mirë kishte me qenë të festohet pa fishekzjarre, pasi që nga shpërthimi i tyre po frikësohen të gjithë, në veçanti fëmijët. Po hedhin shumë mjete piroteknike vend e pa vend”, thekson ajo.

Qytetarët kërkojnë nga autoritetet kompetente që të marrin masa që edhe Kosova, si edhe vendet e tjera evropiane, të festojë festat e fundvitit pa pasur incidente nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Faton Latifi shprehet:

“Do të duhej të jetë një vend apo zonë e veçantë sikur në Evropë, që në mënyrë të organizuar të hidhen fishekzjarrët. Do të ishte e këndshme për të gjithë”, thotë ai.

Autoritetet në Kosovë thonë se ndër vite kanë arritur të ulin sasinë e mjeteve piroteknike në vend. Me një vendim për ndryshimin e normave të akcizës të Qeverisë së Kosovës, që ka hyrë në fuqi dy vite më parë, është ngritur akciza prej 2 euro për kilogram në fishekzjarrë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci i tha Radios Evropa e Lirë, se në pesë vitet e fundit ka rënë dukshëm numri i importeve të mjeteve piroteknike. Sipas tij, 95 për qind e mjeteve piroteknike janë importuar nga Kina dhe vetëm 5 për qind nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Deri më tani janë importuar mbi 65 mijë kilogramë të fishekzjarrëve, që krahasuar me vitet e kaluara është 10 për qind e sasisë që është importuar zakonisht. Arsyeja është e qartë, për shkak se nga momenti që është vendosur akciza për fishekzjarre ka pasur rënie”, ka bërë të ditur Stavileci.

Ndërkohë, Departamenti për siguri publike, i cili funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me moton “Për festa të sigurta”, po zhvillon fushatë lidhur me përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve.

Përmes postimeve në rrjetet sociale dhe në mediet elektronike, kjo ministri i bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e tyre. Ata kërkojnë nga qytetarët që para se të ndezin fishekzjarrët të lexojnë udhëzimet dhe mënyrat se si të ndizen ato.

Vitin e kaluar, por edhe vitet me parë, nga pakujdesia dhe mungesa e informacioneve për përdorimin e fishekzjarrëve, dhjetëra qytetarë janë lënduar, dhe nga plagët e marra kanë kërkuar ndihmën e mjekut.

Lëndimet e qytetarëve zakonisht ishin shkaktuar nga përdorimi jo i duhur i mjeteve piroteknike. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG