Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita fajësojnë njëra tjetrën për ngecjet në vitin 2016


Mungesa e konsensusit politik për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me çka qytetarët e Kosovës mbetën pa liberalizim të vizave, pastaj dështimi për themelimin e Forcave të Armatosura dhe përçarjet e brendshme politike në vendimmarrje, janë cilësuar disa nga sfidat, ngecjet dhe çështjet e papërmbushura gjatë vitit 2016.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa ka prezantuar punën njëvjeçare të qeverisë së tij, ka potencuar mungesën e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit dhe opozitës, çka sipas tij, është reflektuar edhe në vendimmarrje për çështje të rëndësishme, siç ishte Demarkacioni me Malin e Zi.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që ta ftojmë opozitën, të ulemi, të gjejmë argumente dhe arsye që për këto çështje të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, sepse është e pashpjegueshme që ne ta kemi përkrahjen e plotë të Bashkimit Evropian, por interesat tona të brendshme, që ndërlidhen kryesisht me aspekte politike, ta pengojnë këtë proces”, ka deklaruar Mustafa.

Tutje, Mustafa ka thënë se në vitin 2016, Kosova ka shënuar përparime në planin e zhvillimit ekonomik dhe fusha tjera, përderisa ka pranuar se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një territor që ndryshon nga pjesët tjera të vendit, për shkak të ndikimit të politikës së Beogradit në katër komunat e atjeshme të banuara nga shumica serbe.

“Duhet ta pranojmë një fakt që ne akoma kemi probleme në veriun e vendit. Këtë fakt ne nuk mund ta fshehim. Unë s’mund të them që gjendja në veri të vendit është sikurse gjendja në pjesën tjetër të Kosovës dhe ajo që ne duhet ta bëjmë në këtë rast është që ne ta normalizojmë situatën atje dhe i gjithë procesi i dialogut është i orientuar në normalizimin e gjendjes atje”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, liderë opozitar kritikojnë koalicionin aktual qeverisës për jo efikasitet, qeverisje të dobët dhe të korruptuar.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë një takimi me aktivistë të partisë së tij, ka deklaruar se qeverisja aktuale e ka ndarë Kosovën si në vija etnike ashtu edhe në aspektin shoqëror, duke krijuar shtresa të pasura dhe të varfra.

“Sot, institucione shtetërore kemi, por ne duhet t’i bëjmë këto institucione shtetërore në shërbim të qytetarëve, të cilat sot nuk janë. Fuqizimi i Republikës së Kosovës dhe çlirimi i kësaj Republike nga krimi dhe korrupsioni”, janë veçuar nga Ymeri, si domosdoshmëri e angazhimeve politike.

Sidoqoftë, vitin 2016, institucionet e Kosovës po e përmbyllin pa përmbushjen e disa nga top prioriteteve të proklamuara, sidomos atë të liberalizimit të vizave dhe formimin e Forcave të Armatosura.

Ky vit, megjithatë po veçohet si vit i suksesit vështruar nga aspekti sportiv, për shkak të pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA si dhe për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, ku xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi vendin e parë, duke u shpallur kampione olimpike. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG