Ndërlidhjet

Policia e Kosovës dhe ajo italiane bashkëpunojnë rreth të arrestuarve për terrorizëm


Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se posedon informacione për personat e ndaluar nga autoritetet italiane dhe lidhur me këtë rast është duke u bashkëpunuar me autoritetet policore italiane, tha zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Policia italiane arrestoi në fillim të javës tre shtetas të Kosovës në qytetin e Venedikut, pasi njëri prej tyre u kap në përgjimet telefonike duke ‘propozuar hedhjen në erë të urës së famshme Rialto” ndërkohë që të tjerët kanë përgëzuar sulmet e fundit në Londër. Një i mitur gjithashtu u arrestua, ka bërë me dije agjencia e lajmeve AP.

Një prokuror i Venedikut tha se një bastisje në një banesë në Venedik janë gjetur dëshmi se të dyshuarit po përgatiteshin fizikisht dhe kanë shikuar edhe regjistrime në video me ekstremistë islamik që demonstronin se si kryhet një sulm me thikë.

Kryetari i Venedikut, Luigi Brugnaro, kishte thënë se të gjithë të arrestuarit kishin lejeqëndrim të rregullt në Itali.

Zoti Brugnaro tha se pos arrestimeve, janë kryer edhe 12 bastisje në qendër të Venecias, në Mestre dhe Treviso.

Autoritetet i identifikuan të dyshuarit si Fisnik Bekaj, Dake Haziraj dhe Arjan Babaj, dhe thanë se ata kanë shprehur ‘gatishmërinë për të vdekur për kauzën xhihadiste dhe kanë biseduar se si janë inspiruar nga sulmet e Londrës, kur u vranë katër persona”.

Prokurori i Venedikut citohet të ketë thënë se grupi ishte “vërtetë i rrezikshëm” dhe ka bërë komplot për sulme jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.

Shefi i policisë së Venedikut, shkruan AP, e ka cilësuar të miturin si “personin që ka bërë deklaratat më radikale”.

Ramadani: Institucionet të shtrijnë aktivitetin edhe në diasporë

Gjatë viteve të fundit, policia italiane tha se ka bërë disa arrestime të ekstremistëve të dyshuar islamikë, të akuzuar se kishin rekrutuar luftëtarët për xhihad në Siri dhe Irak, duke i radikalizuar të tjerët ose duke bërë sulme të brendshme në vendet e tyre.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë thonë se arrestimi i tre kosovarëve në Itali është një dëshmi që procesi i radikalizmit dhe përhapjes së ideologjisë ekstremiste të dhunshme është një sfidë në vazhdimësi dhe si e tillë nuk ka përfunduar askund të botë dhe as në Kosovë.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se ky rast është një sinjal për institucionet e Kosovës që duhet të shtrijnë aktivitetet në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm edhe tek qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

“Duhet parë mundësinë e shtrirjes së aktiviteteve për të parandaluar ekstremizmin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë në formë të ngjashme më atë që ndodh në Kosovë, sepse secila etni respektivisht qytetarët e Kosovës kanë specifikat e veta dhe procesi i radikalizmit të tyre ndërtohet sipas specifikave edhe etnike, por jo vetëm duke u bazuar në to”, thotë Ramadani.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.

Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se numri i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në luftërat e huaja në Siri dhe Irak ka shënuar rënie.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë pak ditë më parë se Kosova ka demonstruar vullnet dhe unitet për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Ai tha se Kosova nuk mund të konsiderohet si përjashtim nga fenomeni i terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj dhe nënvizoi se "Kosova ka një polici të shkëlqyeshme, por askush nuk mund të garantojë se nuk do të ketë sulme terroriste, sepse këtë nuk mund ta garantojnë as shtetet tjera”. (REL)

XS
SM
MD
LG