Ndërlidhjet

Politikë dhe argëtim në Berlinale


Berlinale...
Berlinale...
Festivali i filmit 11 ditësh "Berlinale", filloi më 7 shkurt. Shumë nga filmat pjesëmarrës në festival fokusohen në shqetësimet sociale dhe politike, por gjithashtu edhe marrin pjesë në argëtimin e festivalit.

Derisa Festivali i Filmit të Berlinit filloi të enjten më 7 shkurt, një nga filmat më të pritur është filmi i ri i regjisorit iranian Jarfar Panahi.

Filmi i tij "Closed Curtain", do të shfaqet të dielën më 10 shkurt. Përshkrimi i filmit në programin e festivalit flet për tregimin e një burri, qenit të tij, një gruaje të re dhe një regjisori në një shtëpi afër Detit Kaspik. Të gjithë kërkohen nga autoritetet, por ata gjithashtu kërkojnë edhe njëri-tjetrin.

Edhe pa publicitet, filmi i fundit i Panahit është pa dyshim tërheqës për publikun, sepse filmi është në kundërshtim me qeverinë e tij. Në vitin 2010, Panahit iu shqiptua ndalesa 20 vjeçare për të bërë filma, pasi u arrestua për shkak të përkrahjes së tij ndaj lëvizjes opozitare Green Movement.

Ai gjithashtu u dënua me burg gjashtë vjet, dënim i cili u pezullua pas një proteste nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Parlamenti Evropian e bëri atë bashkë-fitues të çmimit prestigjioz "Çmimi Sakharov" në vitin 2012

Me padurim, në festivalin 11 ditor pritet edhe filmi "Camille Claudel 1915", një dramë franceze që tregon historinë e të dashurës së August Rodin, Camille Claudel, e cila ishte e shtruar në një spital psikiatrik.

Fakti që regjisori i këtij filmi,Bruno Dumont, përdor në film aktorë me probleme të shëndetit mendor, e ka bërë këtë film shumë të përfolur.

Përveç këtyre emrave të njohur të kinematografisë, në festival do të marrin pjesë edhe filma më pak të njohur nga Evropa Lindore, Ballkani, Rusia dhe Azia Qendrore.

Ata shkojnë në "Berlinale" sepse festivali ofron shfaqjen më të mirë botërore të filmave me mesazhe politike dhe sociale, por nuk përjashtohen as filmat artistik.

Rada Sesiq, mentore në studimet e filmit në Akademinë e Filmit të Holandës në Amsterdam, shpjegon:

"Berlinale ka një traditë madhështore, ku trajton shqetësimet politike lidhur me ndryshimet dhe gjërat e rëndësishme që ndodhin në botë. Pra, ishte festival i madh edhe para rënies së Murit të Berlinit, kur selektorët vinin në Evropën Lindore dhe mundoheshin të gjenin filma qe ishin të rëndësishëm për një kategori të shoqërisë, apo të ndaluar për një kategori tjetër të shoqërisë, apo edhe ata filma, regjisorët e të cilëve ishin disident që jetonin në Perëndim dhe kërkonin strehim".

Këtë vit, në Berlinale do të ketë përmbajtje të fuqishme politike nga shumë vende pjesëmarrëse.

Po ashtu, shumë filma reflektojnë edhe gjendjen e tashme sociale të shteteve të tyre.

Një film nga Rumania i titulluar "Child's Pose", merret me korrupsion, teksa tregon një ngjarje të një nëne, e cila tenton të blejë lirinë e djalit të saj, i cili kishte vrarë me makinë një fëmijë.

Nga Iraku, filmi “Happy Birthday”, tregon historinë e një djali që viziton varrin e të atit, një metaforë për të kaluarën jo shumë të largët të vendlindjes së tij.

Berlinale, në vitin e saj të 63-të, është festivali më i madh i filmit, me 404 filma që do të shfaqen deri në ditën e përfundimit të këtij edicioni, më 17 shkurt. Nëntëmbëdhjetë filma janë përzgjedhur të garojnë për çmimin prestigjioz - Ariun e Artë - për filmin më të mirë.

Festivali u hap me dramën me arte marciale, "The Grandmaster", nga regjisori kinez Wong Kar Wai. (g.kraja).
XS
SM
MD
LG