Ndërlidhjet

Mustafa pranon raportin final për matjen e territorit


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar raportin përfundimtar të punës së Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Zyra e kryeministrit të Kosovës.

Mustafa ka theksuar se do ta trajtojnë këtë raport në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe do ta procedojmë edhe te deputetët e Kuvendit të Kosovës, te Presidenti dhe më pas do ta procedojnë edhe me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes.

"Falënderoj anëtarët e Komisionit për punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë. Ne iu kemi besuar juve këtë punë dhe ne e vlerësojmë punën tuaj. Unë mendoj se do ta vlerësoj e tërë Kosova sepse për këtë vend është me rëndësi themelore që të ofrojmë fakte për qytetarët tanë, në mënyrë që e gjithë ajo që është thënë të argumentohet sepse njerëzit kanë nevojë ta dinë të vërtetën”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa

Ai ka siguruar Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, se Qeveria me përgjegjësinë më të madhe do të merr parasysh të gjitha faktet që Komisioni ka nxjerrë dhe i ka argumentuar.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Akademik Hivzi Islami, ka theksuar se “është një rezultat i qëndrueshëm profesionalisht, shkencërisht, që do t’i shërbej për të mirë edhe shtetit, edhe shoqërisë, edhe shkencës dhe të vërtetës dhe të gjithë Kosovës”.

XS
SM
MD
LG