Ndërlidhjet

Media dhe lista zgjedhore mbajnë peng datën e zgjedhjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Ende asnjë zgjidhje për dy pikat kontestuese të marrëveshjes politike që po mbajnë të betonuar pozicionet e partive sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Konsultimet e fundit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Piter Vanhojte, nuk kanë dhënë asnjë rezultat për çështjen e medieve, ndërkohë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ende nuk ka ndërmarrë ndonjë aktivitet konkret lidhur me pastrimin e listës së votuesve, që së bashku me reformat në media mbajnë pezull mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Partitë në pushtet mbeten në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill, ashtu siç janë dakorduar partitë me marrëveshjen e qershorit të vitit të kaluar.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një tubim të partisë së tij, të shtunën mbrëma në Tetovë, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në këtë datë, është në interes të stabilizimit të gjendjen së përgjithshme në vend.

“Ne nuk jemi 5 minuta, por 1 minutë para orës 12. Në qershor është samiti i BE-së ku bëhet bilanci dhe ne e dimë se e kemi të kushtëzuar raportin. Në korrik është samiti i NATO-s. Ka paralajmërime se do të ketë vërshim të refugjatëve nga Lindja e mesme".

"Si do t’i menaxhojmë këto procese kaq të rëndësishme kur e dimë se njerëzit presin një epilog, ata presin stabilitet dhe siguri. Ne nuk duhet t’i nënçmojmë gjërat, pasi siguria dhe stabiliteti janë gjëra shumë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët“, ka thënë Ahmeti.

Ai ka mbrojtur pozicionin e mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill.

Sipas Ahmetit, kjo datë mund të ndryshohet vetëm me një marrëveshje të re, me pëlqimin e të gjitha partive, ashtu siç janë marrë vesh për datën e tanishme.

Edhe nga VMRO-DPMNNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.

Kreu i kësaj partie mbetet në qëndrimin se kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike janë në duart e opozitës, pasi ajo, siç ka thënë Gruevski, udhëheq me dy institucionet më të rëndësishme në vend, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Por, nga opozita thonë se krijimi i kushteve për zgjedhje të lira është përgjegjësi e të gjitha partive dhe se zgjedhje të tilla nuk mund të priten, pa përmbushjen e dy kritereve kryesore, depolitizimin e medieve dhe pastrimin e listës zgjedhore.

“Ju e shihni se rreth 20 milionë euro në vit shkojnë në llogaritë e medieve pro-qeveritare. Kemi transmetuesin publik, RTVM, i cili është shndërruar në organ partiak, e jo në televizion në shërbim të qytetarëve, të cilët edhe paguajnë për funksionimin e tij. Që t'i jepet fund kësaj propagande qeveritare, që të vendoset pavarësia në media, ne kemi ofruar disa zgjidhje sistemore".

"Jo të vendosim njerëzit tanë në pozita, por që këto medie të drejtohen nga profesionistë të vërtetë, që të mos ketë ndikime politike, që mediet të jenë në shërbim të qytetarëve, që raportimi në zgjedhje të jetë i balancuar, pasi vetëm në këtë mënyrë i ndihmojmë procesit për zgjedhje të lira dhe demokratike“, ka deklaruar Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, nga LSDM-ja opozitare në qeverinë kalimtare.

Partitë politike, aktualisht, janë pajtuar vetëm për metodologjinë e pastrimit të listës zgjedhore, të propozuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjes përmes analizimit të të dhënave të qytetarëve nga 10 institucione më relevante në vend, por edhe nëpërmjet verifikimit të të dhënave në terren.

Por, dilemat mbeten nëse ky proces mund të përfundojë deri më 24 prill, andaj edhe opozita insiston për shtyrjen e datës së zgjedhjeve,

Dilemat pritet të zgjidhen deri më 20 shkurt kur BE-ja dhe SHBA-ja pritet të dalin me analizën e tyre nëse ka ose jo kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

XS
SM
MD
LG