Ndërlidhjet

Dempsey: Kosova çështje e pakryer, një vend i korruptuar


Judy Dempsey
Judy Dempsey

Analistja në Institutin Carnegie Europe dhe njëkohësisht kryeredaktore e blogut Strategic Europe, Judy Dempsey, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘Kosova nuk është çështje e kryer, sepse është e panjohur nga të gjitha vendet e BE-së, se është vend shumë i korruptuar dhe se misioni i BE-së për sundimin e ligjit ka qenë jashtëzakonisht i dobët”.

Ajo tha se Kosova dhe njëkohësisht edhe i gjithë rajoni i Ballkanit ‘ka një lidership të vjetër që po margjinalizojnë një pjesë të shoqërisë”. Sipas saj i gjithë rajoni i Ballkanit ‘vuan nga mosbesimi i plotë dhe kjo ndodh me faktin se edhe brenda shteteve palët nuk i besojnë njëra tjetrës”.

Dempsey tha se ‘nëse Kosova dhe Serbia duan të ecin përpara duhet ta bëjnë këtë vetë, me një lloj lehtësimi dhe ndërmjetësimi nga BE-ja’.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Dempsey është krijuar një përshtypje sikur Ballkani Perëndimor i është lënë vetvetes. Kjo posaçërisht për shkak të një krize të zgjatur në BE dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Sa është i dobët sot Ballkani?

Judy Dempsey: Mendoj se politikisht është shumë i dobët. Institucionet demokratike nuk janë të forta në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor; mendoj se sundimi i ligjit po bëhet më i dobët në disa mënyra në drejtësi; dhe qeverisja e mirë duket sikur është hequr nga agjenda në shumicën e rasteve. Shtrohet pyetja përse? E para, në një mënyrë BE-ja sikur ka hequr vëmendjen nga Ballkani Perëndimor, përveç Kosovës dhe Serbisë.

Por, BE-ja nuk është një ‘polic’ i Ballkanit Perëndimor që i tregon se duhet bërë këtë ose atë, përveç pjesës së negociatave për anëtarësim për shumicën e këtyre vendeve. Por në një mënyrë imputet për reformat janë ngadalësuar dhe kjo e bën politikisht të dobët dhe njëkohësisht të pasigurt. Kjo dobësi politike lë një vakuum të caktuar për mundësinë që Rusia të përzihet, pastaj edhe Kina dhe njëkohësisht edhe për Arabinë Saudite dhe Turqinë.

Në këtë kuptim, nga aspekti gjeo-strategjik Ballkani Perëndimor është i dobët. Edhe në fushën ekonomike është i dobët gjithashtu, sepse nëse reformat nuk kryhen dhe nuk po flas këtu për reforma të ashpra të tregut social, por po flas për reformat që i bëjnë rregullat e prokurimit transparente, që e bëjnë klimën për investime më miqësore, të drejtat e pronës të qarta, që e bëjnë legjislacionin e emërimeve të qartë dhe nëse këto struktura nuk janë të rregulluara investimet do të vijnë shumë ngadalë.

Dhe në fund, është infrastruktura, e cila siç e dini edhe vet, është e drejtuar gabimisht. Dhe meqë nuk jeni në BE, e bën më të vështirë që të merrni një lloj ndihme. Prandaj të gjitha këto lloje të mungesave e bëjnë rajonin, fatkeqësisht, të dobët.

Radio Evropa e Lirë: Një perspektivë jo fort e mirë... Por, sa i ndihmon këtij dobësimi edhe ndikimi, ose më mirë rikthimi i ndikimit rus në rajon?

Judy Dempsey: Në një farë mënyre ata nuk janë larguar nga rajoni, kur bëhet fjalë për marrëveshjet për energjinë. Kjo hyrje e dalje duke mbajtur një vëmendje në rajon, dhe siç e dini kanë provuar të bëjnë presion mbi Malin e Zi që të mos i bashkohet NATO-s, është ende aty. Rusia ka një lidhje të veçantë me Serbinë, por ka praktika dhe procese që kanë më shumë vlera. Mendoj se investimet ruse nuk mund të fajësohen për ngadalësimin e reformave.

Është e lehtë që të fajësohet BE-ja për mos vëmendje të duhur dhe për ngadalësim të reformave, është e lehtë të fajësohet Rusia për hyrje dhe përpjekje për mbushje të vakuumit, megjithëse nuk dua ta stërmadhojë çështjen e vakuumit, por në fund të fundit qeveritë dhe lidershipi i këtyre vendeve duhet të ecin përpara dhe të flasin hapur për llojet e ndikimeve ndaj të cilave janë ekspozuar.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Dempsey, kemi parë në muajt e fundit probleme etnike në Bosnjë. Kishte tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një tren që pothuaj nxiti ‘luftë fjalësh’. A po shohim në Ballkan kthim të sjelljeve nacionaliste?

Judy Dempsey: Është një pyetje shumë komplekse, për faktin se lufta është ende e freskët në kujtesën e njerëzve. Lufta ndodhi së voni dhe la pasoja të tmerrshme gjithandej në rajon. Unë po flas për atë që ka ndodhur përgjatë luftërave dhe pastaj kishim edhe bombardimin e Serbisë nga NATO-ja më 1999. Është një periudhë e shkurtër për të menduar se ndjenjat nacionaliste janë ‘avulluar’.

Kjo nuk është e mundur. Por për të menduar se ndjenjat nacionaliste të nivelit agresiv po rikthehen…ato nuk janë zhdukur. Ekonomia është e rrënuar, perspektivat janë të pakta dhe lidershipi është i dobët. Lidershipi i dobët ndonjëherë ushqen nacionalizmin. Lidershipet kreative dhe të hapura kanë shansin e drejtimit nga gjërat më të mira. Është aty dhe nuk mund të mohohet. Ka një zbrazëtirë ndërmjet lidershipit dhe shoqërisë.

Pra shoqëria civile, njerëzit që provojnë të bëjnë diçka dhe mediet janë gjithnjë e më shumë nën presion që të mos zbulojnë korrupsionin dhe të mos kritikojnë lidershipin. Ky tension politik është mbase më i rrezikshëm dhe më shqetësues se sa nacionalizmi. Është e saktë se janë nacionalistët aty, por çështjet politike duhet të zgjidhen së pari.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Dempsey, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parë përgjithësisht si e arritura më e madhe në vitet e fundit. Ka ngritje e rënie në këtë dialog. Janë bërë 5 vjet që kur ka nisur. A duhet të ketë një afatizim, ndoshta një njohje e dyanshme apo ta themi ndonjë kushtëzim për anëtarësim në BE?

Judy Dempsey: Pesë vjet…mendoj se Cathy Ashton bëri një punë të mirë. Dhe kjo ishte e tëra që bëri si ish-shefe e politikës së jashtme të BE-së. A duhet të ketë një afatizim? Ju e dini se afatizimet janë një pështjellim i madh. Presionet, perspektiva – ndoshta kjo mund të ndihmojë. Jam e ndarë ndërmjet elementeve të ‘karotës dhe shkopit’. Në fund të fundit, nëse kosovarët dhe serbët duan të ecin përpara duhet ta bëjnë këtë vetë, natyrisht me një lloj lehtësimi dhe ndërmjetësimi nga BE-ja.

Por, ata duhet ta duan këtë. Duhet të jetë një element i bërjes, ndërmarrjes si dhe i zbatimit. Ju e shihni se zvarritja e bërë nga Kosova dhe njëkohësisht një zvarritje e marrëveshjes në Mitrovicë nga Serbia, duhet të mblidhet mendja. Ju jap një shembull – isha në Beograd në një konferencë të sigurisë. Ishte kryeministri Vuçiq dhe ai shqiptar Rama dhe ishte shumëçka në rregull për 15 minuta.

Pas kësaj nisën pyetjet nacionaliste dhe kishin të bënin edhe me Kosovën, me çështjen e minierave dhe ligjit për to. Pra, ishte një lider shqiptar që fliste për Kosovën me liderin serb dhe e kuptoni se po ndodh. Në një mënyrë ju takon atyre që të tërheqin vijat. Nuk mund ta bëjmë ne për ta.

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët disa herë lidershipin në Ballkan. Por duket sikur ata janë të njëjtit që prej më shumë se 15 ose 20 vjetësh…Mund të presim nga ta që të zgjidhin problemet të cilat mbase mund t’i kenë ngritur vetë?

Judy Dempsey: Është një vrojtim shumë i mirë. Ka nevojë për një gjeneratë të re që të dal në fushë. Pajtohem plotësisht me ju. Këta njerëz po ripërsëriten dhe po e margjinalizojnë një pjesë të shoqërisë. Pajtohem me ju në këtë çështje. Shikojeni lidershipin në Mal të Zi. Mund t’i merrni shembull shumicën e këtyre vendeve në rajon. Shikojeni Kosovën – të njëjtat figura përsëriten gjithnjë. Mund të kenë veshje të ndryshme por s’do të thotë se kanë ndryshuar mentalitetin.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për Kosovën – 9 vjet të pavarësisë. Autoritetet e shohin si një sukses të madh. Por, ka zëra që thonë se Kosova është një çështje e pakryer. Midis suksesit dhe çështjes së pakryer ku është sot Kosova?

Judy Dempsey: Është një punë plotësisht e pakryer. Para së gjithash është e panjohur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. E dyta, është shumë e korruptuar. E treta, misioni i BE-së për sundimin e ligjit ka qenë jashtëzakonisht i dobët. E katërta, po \ ‘vendnumëron’ dhe prandaj kemi trupat e NATO-s ende atje. Kombinimi i të gjitha këtyre gjërave tregon se nuk është një sukses aq i madh sa Prishtina do të donte ta paraqiste. Fakti se siguria është kaq e dobët prandaj edhe NATO-ja duhet ende të mbetet atje. Si një çështje e pakryer kjo është evidente.

Radio Evropa e Lirë: Por, çfarë mendoni se mund të pajtojë Kosovën dhe Serbinë pas një periudhë të gjatë të papajtueshmërisë, luftërave, mosbesimit…

Judy Dempsey: Ju e njihni rajonin. Ka të bëjë me besimin. Asnjë palë nuk i beson tjetrës. Grupe të ndryshme, përfshirë dhe elitat jo aq mediatike por njëra mund të nxis tjetrën dhe e keni parë me rastin e trenit. Ka mosbesim të plotë. Dhe kjo ndodh me faktin se edhe brenda shteteve dy palët nuk i besojnë njëra tjetrës. Megjithëse lufta ka përfunduar, ma kujton Irlandën Veriore dhe Marrëveshjen e paqes në Irlandën Veriore.

Unioni i tha IRA-s çka është mjaft është mjaft dhe kishte një ndërmjetësim amerikan. Qeveritë në Washington dhe Londër u bënë bashkë për procesin e paqes në Irlandën Veriore. Dhe procesi paqësor ishte i suksesshëm sepse Irlanda Veriore u bë pjesë e BE-së. Kjo duhet të ndodh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet duhet të vijnë në një pikë kur të thonë çka është mjaft është mjaft. Dhe një vijë duhet të tërhiqet e të thuhet; ne duam paqen dhe kjo paqe duhet të ndërtohet mbi besim. Nuk kemi mbërri ende në këtë pikë sepse edhe kjo perspektivë nuk është e fortë ende, mendoj këtu në anëtarësim në BE. Mendoj se këto dy kushte duhet të jenë aty përpara se të ndryshojë fundamentalisht mentaliteti politik e intelektual i marrëdhënieve.

Radio Evropa e Lirë: Nëse e kuptoj drejt, kjo do të thotë se perspektiva e paqartë evropiane dhe rruga e stërzgjatur e integrimeve po e dëmtojnë të arriturat në rajon? Ju përmendet Irlandën dhe Britaninë si shembull, por mos të harrojmë se kishim një Brexit në ndërkohë…

Judy Dempsey: Saktësisht, keni të drejtë. Jo nuk e dëmton… kur kam jetuar në Beograd në tetor dhe nëntor isha e habitur nga një nivel i frustrimit në mesin e të rinjve… Por, a duhet të mbështeteni diku për t’u bërë pjesë e Evropës që t’i kryeni reformat? Apo duhet të kryeni reformat njëkohësisht me rrugën drejt Evropës. Ndoshta këto dyjat shkojnë bashkë. Por, vëmendja e Evropës është shpërqendruar për shkak të BREX-it, administratës së SHBA-së, me atë që po ndodh në Ukrainë, me krizën e madhe të Euros, nga zgjedhjet në Holandë, Francë e Gjermani, dhe Berlini duhet të mbajë një vëmendje në Ballkan, por Berlini nuk është BE-ja. (REL)

XS
SM
MD
LG