Ndërlidhjet

logo-print

Euro 2012: Polonia dhe Ukraina nën ethe

  • RFE /RL

Euro 2012

Euro 2012

Edhe në minutat e fundit para nisjes së Kampionatit Evropian të Futbollit, Polonia dhe Ukraina kanë bërë përpjeke të sfidojnë kritikat ndaj vendeve të tyre, si nikoqire të ngjarjes sportive.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka drekuar me parlamentarin e parë me ngjyrë të Polonisë, Xhon Godson – një gjest ky që synon të largojë frikën për jotolerancë raciste gjatë turneut njëmujor.

Edhe Polonia, edhe Ukraina kanë qenë në shënjestër të kritikave të Perëndimit, pas raporteve për dhunë raciste në ngjarjet e futbollit.

Por, boksieri francez, Doudou Ngombu, një shtetas i Republikës Demokratike të Kongos, u është bashkuar mijëra tifozëve të futbollit duke kënduar dhe vallëzuar në Varshavë. Ai thotë se është përballur me një pritje të ngrohtë në Poloni.

Mendoj se njerëzit këtu nuk kanë asnjë paragjykim. Ata nuk shohin në racën e personit. Unë jam afrikan dhe askush nuk më ka mërzitur me asnjë gjë. Ndjehem mirë”, thotë Ngombu.

Por, ndryshe nga ai, lojtarët holandezë janë ankuar për brohoritje raciste gjatë një stërvitjeje publike në Poloni.

Kapiteni i Holandës, Mark van Bomel, ka thënë se është “e turpshme” që disa njerëz, të cilët kanë ndjekur stërvitjen në qytetin Krakov, kanë sulmuar lojtarët me ngjyrë me “zhurma majmunësh”.

Ministrja polake e Sportit, Joana Muha, ka thënë se Euro 2012 është organizimi më i vështirë që ka bërë Polonia ndonjëherë.

Ajo ka theksuar se infrastruktura dhe shërbimet e sigurisë – përfshirë 12,000 policë – janë të gatshëm për çdo skenar.

Numri i vizitorëve pritet të jetë më i vogël në Ukrainë, ku çmimet enorme të hoteleve dhe debatet e vazhdueshme në lidhje më trajtimin në burg të ish-kryeministres Julia Timoshenko, duket të kenë dekurajuar shumë tifozë.

Shumë zyrtarë evropianë kanë bërë thirrje për bojkotimin e ndeshjeve që luhen në Ukrainë, në shenjë proteste ndaj dënimit të Timoshenkos, të cilin e shohin si rast të motivuar politikisht.

Qeveria britanike është bërë të enjten institucioni i fundit që ka shprehur shqetësimin për drejtësinë selektive, duke thënë se asnjë ministër i saj nuk do të ndjekë ndeshjet e grupit të Anglisë në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviq, i cili është përballur me një valë të publicitetit të keq në javët e fundit, ka bërë përpjekje të paraqesë një perspektivë më pozitive për ngjarjen.

Gjatë një fjalimi televiziv, ai ka vlerësuar lart përgatitjet e vendit për turneun, duke theksuar këtu edhe trenat e shpejtë që lidhin qytetet nikoqire: Kievin, Lvivin, Donetskun dhe Kharkivin.

Janukoviq po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë anën e tyre mikpritësve gjatë “ngjarjes historike” për vendin post-sovjetik.

Në ditët në vijim, vëmendja e botës do të përqendrohet në vendin tonë. Ju bëj thirrje të tregoni mikpritjen ukrainase, sinqeritetin dhe miqësinë. Duhet t’i presim mysafirët tanë dhe pjesëmarrësit në turne me dinjitet. Marrëdhëniet ndërmjet Ukrainës dhe pjesës tjetër të botës do të varen nga ajo se si do t’i presim”, ka thënë Janukoviq.

Kampionati Evropian i Futbollit nis sot me ndeshjen ndërmjet Polonisë, e cila është edhe nikoqire e ngjarjes, dhe Greqisë, për të vazhduar më pas me takimin ndërmjet Rusisë dhe Republikës Çeke. Euro 2012 do të zgjasë deri më 1 korrik, kur edhe do të zhvillohet ndeshja finale.(v.t.)

XS
SM
MD
LG