Ndërlidhjet

logo-print

Së paku 84 të vrarë në Francë, bota dënon sulmin

  • RFE /RL

Një sulmues ka vrarë së paku 84 veta dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë, pasi ka përplasur kamionin, me shpejtësi të lartë, në një turmë njerëzish në qytetin Nicë të Francës. Në mesin e të vrarëve janë dhjetë fëmijë.

Ngjarja ka ndodhur të enjten vonë, derisa po festohej Dita e Bastijës.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se sulmi është akt i qartë “terrorist” dhe i treti që ka shkaktuar viktima të shumta në tokën franceze, në 18 muajt e fundit.

“Franca është goditur nga kjo tragjedi e re. Është tmerruar nga ajo që ka ndodhur, është në zi, është e pikëlluar, por është e fortë dhe ju siguroj se do të jetë më e fortë ndaj fanatikëve që duan ta godasin”, ka thënë Hollande.

Zyra e prokurorit francez ka hapur hetimet nën dyshimet për vepër terroriste. Nuk ka shenja për ndonjë sulm tjetër, por banorët janë këshilluar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Sulmuesi është identifikuar si Mohamed Lahouaiej Bouhlel, 31 vjeç, shtetas francez, me prejardhje nga Tunizia. Ai është vrarë nga policia.

Presidenti Hollande ka thënë se ka mobilizuar edhe rezervistët ushtarakë dhe policorë, për të zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme, e cila ka nisur në nëntor, pasi militantët e Shtetit Islamik kanë sulmuar Parisin, duke vrarë 130 veta. Në Paris ka pasur sulme vdekjeprurëse edhe në janar të vitit 2015, kundër gazetës satirike Charlie Hebdo.

Vetëm pak orë para sulmit në Nicë, Hollande ka thënë se do ta heqë gjendjen e jashtëzakonshme në fund të korrikut, por pas sulmit ai ka thënë se ajo do të vazhdojë edhe për tre muaj të tjerë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka dënuar atë që “duket të jetë një sulm i tmerrshëm terrorist” dhe ka thënë se SHBA qëndron në solidaritet me Francën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se dy amerikanë janë vrarë në sulm.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar fuqishëm “sulmin terrorist, barbar dhe frikacak”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se vendi i saj qëndron me Francën në luftën kundër terrorizmit dhe ka shprehur bindjen se, pavarësisht vështirësive, kjo luftë do të fitohet.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se sulmi ka shkaktuar viktima të pafajshme, që kanë qenë duke festuar Ditën e Shtetit.

“Jam e tronditur dhe e pikëlluar nga sulmi i tmerrshëm në Nicë, natën e kaluar. Me zemër, jemi pranë popullit francez dhe të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit”, ka thënë May.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur solidaritet dhe ka thënë se sulmi brutal është shokues.

Rrëfimi i qytetarit nga Kosova

Një qytetar nga Kosova, i përkatësisë boshnjake nga Prizreni, Aldin Saliji, që më shumë se 5 vjet jeton në Nice të Francës, ka përshkruar ngjarjen në qytet.

“Nuk e pashë drejtpërdrejt kur kaloi kamioni, por isha nja 5 minuta pas tij. Isha me familjen time dhe po kërkoja parking. I thashë familjes që të dilte pak më heret që fëmijët të shihnin fishekzjarret. U solla me makinë për më shumë se 30 minuta në kërkim të parkingut, sepse qyteti është i madh. Kishte shumë njerëz dhe mezi gjeta vend ta parkoja makinën. Ndërkohë, fishekzjarret kishin pushuar. U nisa drejt plazhit në drejtim të tyre dhe pashë se si turma po ikte, duke bërtitur dhe qarë. Nuk e dija se cfarë po ndodhte. Pyeta dhe më thanë se kamioni po i shkilte të gjithë me radhë. U ndala në udhëkryq dhe prita nja 5 minuta, meqë të gjithë po iknin nga plazhi drejt qytetit dhe unë u drejtova nga Negresca. Kur u afrova, çfarë të shoh: fëmijë të vdekur, gra, njerëz, trupa të pajetë“, thotë Aldini për Radion Evropa e Lirë.

"Kur pash fëmijët në rrugë, nuk munda t’i shikoja. Eca edhe pak dhe pashë shumë kufoma dhe isha në panik. Nuk kishin ardhur ende as policia dhe as autoambulanca. Isha nja 3-4 minuta pasi kamioni kishte dalë në atë pjesë. Pamjet ishin të tmerrshme. Thanë se kamioni po rrëzonte cdo gjë. Të gjithë iknin nga plazhi, nga deti. Shëtitorja është shumë e madhe. Ai po drejtohej nga Negresca dhe po rrëzonte çdo gjë. Policia shtiu në të dhe e ndaloi. Kur dola lart, pashë njerëz të vdekur, fëmijë, gjak në të gjitha anët. Ai kishte kaluar edhe në trotuar edhe në rrugë, në shëtitore, djathtas e majtas. Kur e ndaluan, çdo gjë ndryshoi“.

Pas kësaj, Aldini u dëgjua me familjen e tij që ndodhej në anën tjetër të plazhit.

"Familja më thërriste. Ishin në anën tjetër dhe kishin shkuar më tutje. Kishin dëgjuar të shtënat por nuk e dinin nga vinin. Kur u thanë se policia po shtinte, ata kishin ikur në drejtim të qytetit. U dëgjova me gruan dhe fëimijët dhe më vëllanë. U gjetëm“, thotë i shqetësuar Aldini.

"Mirë janë. Të frikësuar. Ishin për 5 minuta aty dhe kur u larguan drejt limanit, kamioni arriti. Falë Zotit janë mirë. Ata nuk e panë kamionin, por ishin aty dhe kishin dëgjuar të shtënat. Kamioni shkonte djathtas e majtas dhe po godiste të gjithë më radhë. Ata ishin 20 metra larg nga vendi. Kur dëgjuan të shtënat, ikën në drejtim të qytetit. Kishte edhe të tillë që hidheshin nga shëtitorja në plazh. Ishte një numër i madh i njerëzve, diku rreth 100 mijë. Iknin drejt qytetit dhe atje u takuam“.

Pas kësaj, Aldini me familjen u largua nga kjo pjesë e qytetit që ishte nën bllokadë.

"U detyruam të mbajmë duart lart ose mbi kokë. I mbanin revolet e drejtuara nga ne. Nuk e dinin se kush nga vinte. Bërtisnin duart lart dhe ecni para. Unë dhe miku im u detyruam ta bëjmë këtë. Kur u tërhoqën, u ktheva ta merrja makinën time. Kjo ishte e tëra. Më vonë nuk mund t’i afroheshe vendit“.

Aldini thotë se Nice të premten ka qenë e bllokuar.

"Isha në mëngjes poshtë. Çdo gjë është e bllokuar, nuk mund të afrohesh“.

Nica, qytet me rreth 350,000 banorë, njihet si vendpushim turistik, por ka edhe lagje të varfra. Dhjetëra banorë myslimanë të këtij qyteti kanë shkuar në Siri për të luftuar në krahë të grupit militant Shteti Islamik.

Franca është duke kryer sulme ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Siri, si dhe trajnon forcat qeveritare të Irakut dhe ato kurde që luftojnë militantët.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG