Ndërlidhjet

Ligji për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, diskriminues


Ilustrim
Ilustrim

Ligjin për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të akuzohen nga Gjykata e Posaçme për krime lufte është diskriminues dhe i padrejtë thonë analistët politik.

Ligjet e Kosovës u mundësojnë të gjithë qytetarëve që të kenë një avokat mbrojtës nëse ata nuk ka mundësi që t’i mbuloj shpenzimet.

Mirëpo me Ligjin për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara, parashihet një aspekt më i gjerë i mbulimit të shpenzimeve.

Me këtë Ligj do të mbulohen shpenzimet për secilin person që akuzohet nga Gjykata Speciale, si për angazhimin e mbrojtjes apo avokatit të tij, e deri te shpenzimet e udhëtimeve jashtë Kosovës për të dhe familjen e tij.

Aty përfshihet edhe mbulimi i shpenzimeve për procedurat gjyqësore e deri te kompensimi i atyre personave të cilët gjykata do t'i shpallë të pafajshëm.

Analisti politik, Halil Matoshi e konsideron këtë si një Ligj diskriminues, ngase ai u siguron këto privilegje vetëm një kategorie të shoqërisë.

“T’i mbulosh shpenzimet e avokatëve super të shtrenjtë me licenca ndërkombëtare, të paguash me paratë e taksapaguesve hotele luksoze për ta, ose bileta avionësh dhe hotele për familjarët e të akuzuarve potencial, kjo është padrejtësi e shumëfishtë, është diskriminuese për shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha dëshmon raportin e padrejtë që e kemi ne si kosovar me drejtësinë”, ka deklaruar Matoshi.

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri thotë se Ligji për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë nga Gjykata Speciale ishte një reagim solidariteti me kategorinë shoqërore nga vijnë këta persona.

Muhaxhiri potencon po ashtu se numri më i madh i personave që mund të akuzohen nga kjo gjykatë do të jenë pjesë e partive në pushtet, andaj edhe u është mundësuar një ndihmesë e tillë financiare.

Sidoqoftë, edhe Muhaxhiri e konsideron si diskriminues këtë ligj, ngase ka të bëj vetëm me mbrojtjen dhe ndihmën financiare për një kategori të caktuar shoqërore.

“Është diskriminues sepse ka edhe shumë kategori tjera të cilat kanë nevojë për mbrojtje të tillë dhe nuk u jepet mundësia që ta kenë atë, kurse në këtë rast shihet se mbrojtja e të akuzuarve nga Gjykata Speciale do të bëhet me ndihmën e shtetin e shtetit duke i anashkaluar kategoritë tjera, të cilat mbase edhe kanë më shumë nevojë për ndihmë të tillë financiare”, ka thënë Muhaxhiri.

Marrë parasysh gjithë procesin nëpër të cilin kaloi dhe po kalon themelimi i Gjykatës së Posaçme, analisti Artan Muhaxhiri thotë se gjithçka ishte nën ndikimin politik.

Madje, sipas tij, ekziston edhe rreziku që mjetet të cilat do të derdhen për mbrojtjen e të akuzuarve të keqpërdoren, pasi që bëhet fjalë për shumta të mëdha të parave që do të derdhen nga buxheti i i Kosovës.

“I gjithë projekti i Gjykatës Speciale është bërë me një imponim, prandaj edhe kanë qenë të pritshme veprime të tilla. Por, për fat të keq janë të pritshme edhe abuzimet me këtë fond, me këto mjete financiare”, ka theksuar Muhaxhiri.

Ndërkaq analisti Halil Matoshi mendon se përzierja e politikës në drejtësi me krijimin e ligjeve për kategori të caktuara të shoqërisë, tregon se sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet larg standardeve të dëshiruara.

“Aty ku politika krijon ligje për të kalkuluar politikisht fuqinë e pushtetit, përkatësisht për të stabilizuar koalicionet qeverisëse, aty praktikisht nuk mund të flitet më për drejtësi, por thjeshtë për politizim të skajshëm të saj”, ka thënë Matoshi.

Pas marrjes së vendimit për amandamentimin e Kushtetutës dhe themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, Kuvendi i Kosovës, pa mbështetjen e opozitës, kishte vendosur që të miratojë me procedurë të shpejtuar edhe dy ligje, përkatësisht Ligjin për Gjykatën e Posaçme të hartuar nga Bashkimi Evropian dhe Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

XS
SM
MD
LG