Ndërlidhjet

Daçiq: Deklaratat e papërmbajtshme, ndikojnë në dialogun Prishtinë-Beograd


Pritja e Ivica Daçiqit nga Nikolla Gruevski
Pritja e Ivica Daçiqit nga Nikolla Gruevski
Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe ai i Maqedonisë Nikolla Gruevski, pas takimit të tyre kanë konstatuar se raportet mes Serbisë dhe Maqedonisë janë tejet të mira dhe miqësore, dhe se duhet rritur përkushtimi dhe gatishmërinë për të thelluar dhe mbindërtuar raportet e fqinjësisë së mirë, në funksion të prosperitetit të të dy vendeve dhe të rajonit.

Gruevski dhe Daçiq janë shprehur për rëndësinë e reformave nevojshme për të arritur standardet evropiane, ndërsa kanë theksuar se presin që Këshilli i BE-së të caktojë në takimin e radhës në qershor, fillimin e negociatave aderuese për të dy vendet.

Kjo do të paraqiste valorizim për reformat dhe hapat e ndërmarrë në këtë plan dhe do të jetë vlerësim i përkushtimit dhe i sjelljes sonë të përgjegjshme për tejkalimin e sfidave përmes dialogut dhe zgjidhjeve të qëndrueshme. Data do të ishte edhe nxitje për të mbështetur përparimin në të gjitha sferat të cilat kanë ndikim në integrimet evropiane”, ka deklaruar kryeministri Gruevski.

Kryeministri serb është shprehur se Serbia mbështet Maqedoninë që të marrë sa më shpejt datën për fillimin e negociatave me BE-në, njëherësh ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që të përmbahet kur është fjala për shtetin e Kosovës.

Çështja e dytë e cila paraqitet si problem është qëndrimi ndaj Kosovës dhe Metohisë, për të cilën çështje Serbia dhe Maqedonia kanë qëndrime të kundërta. E luta kryeministrin Gruevski që vendi i tij të përmbahet kur është në pyetje Kosova, që ne të arrijmë një zgjidhje kompromisi”, ka deklaruar Daçiq.

Ndërkohë që partia shqiptare e në Qeverinë e Maqedonisë, BDI, përmes një deklarate me shkrim ka nënvizuar se Daçiqi pas largimit me dhunë të përmendores së UÇPMB-së në Preshevë, me ardhjen e tij në Shkup nuk kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Për këtë qëndrim kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski nuk ishte i njoftuar.

Unë komente të tilla nuk kam dëgjuar”, është shprehur shkurt kryeministri i Maqedonisë.

Por kryeministri serb Ivica Daçiq tha se përderisa realizon takime në nivel më të lartë me kreun Prishtinës zyrtare nuk e sheh pse mos jetë e arsyeshme vizita e sotme.

Kur unë mund të bisedoj me Thaçin në Bruksel, nuk e di se pse kjo parti vlerëson se nuk duhet të bisedoj me mikun tim Nikolla Gruevskin", tha Daçiq.

Ai gjatë qëndrimit në Shkup është ndaluar edhe te çështja e Kosovës, duke theksuar se raporti i bashkësisë ndërkombëtare ndaj popullit serb, në të kaluarën e afërme nuk ka qenë në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare serbe, sidomos siç tha ai, rreth çështjes dhe popullit serb në Kosovë.

Vlerësoj se të gjitha çështjet e hapura në rajon duhet të zgjidhen përmes rrugës paqësore dhe mjete paqësore, dialog dhe me marrëveshje, ashtu si Shën Sava pajtonte vëllezërit e ngatërruar”, deklaroi Daçiq.

Në pyetjen se si ai e komenton heqjen e përmendores së UCPMB-së dhe njëherazi kur do te mund të gëzojne shqiptarët e Luginës së Preshevës të drejta ashtu siç gëzojnë serbët në Kosove, kryeministri serb u përgjigj:

"Gjithsesi kur dhe serbët në Kosovë do të mund t'i gëzojnë ato të drejta, edhe pse këto dy gjëra nuk kanë lidhshmëri njëra me tjetrën. Të drejtat e shqiptarëve në Luginë janë të njëjta ashtu siç i gëzojnë të drejtat e tyre të gjithë qytetarët e Serbisë. Nëse mendoni për përmendoren e cila u largua, më duhet të theksoj se Serbia nuk është 'banane' republikë, në të cilën nuk vlejnë ligjet”, ka theksuar Daçiq, duke e vazhduar përgjigjen në formë retorike.

"Nëse mund të më thoni në ekziston përmendore e Al-Kaedës në Nju Jork ose ekziston përmendore e grupeve terroriste në Spanjë ose Londër. Unë zhvillimet e fundit nuk mund t'i komentoj veçse si provokim për shtetin serb".

"Në Preshevë ekzistojnë 22 përmendore të UCK-së, UCPMB-së, etj, dhe ne si shtet heshtëm përderisa nuk u vendos ajo përmendore para komunës që për ne ishte e papranueshme, sepse kjo nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut. Ata që vendosën përmendoren, paraprakisht duhej të merrnin leje nga institucionet”, është shprehur Daçiq në Shkup.

Ndaj vizitës së kryeministrit serb Ivica Daçiq, të hënën pasdite në Shkup, ka reaguar dhe Shoqëria Civile dhe Studentore e Shqiptarëve të Maqedonisë, me ç'rast kryetari kësaj oragnizate Kushtrim Alla, para përmendores së Hasan Prishtinës ka theksuar se nuk është i mirseardhur asnjë zyrtar i cili do vend që të promovojë politikë antishqiptare.

Vetë ndodhja jonë këtu para monumentit të Hasan Prishtinës, dëshmon se shqiptarët e Maqedonisë nuk i frikohen ardhjes së Daçiqit në Maqedoni dhe se kjo vizitë e tij mund të llogaritet vetëm si një tentativë e destinuar me dështim politik”, ka deklaruar Alla duke shtuar se, lufta çlirimtare e Kosovës, ajo e Maqedonisë dhe lufta e Luginës së Preshevës, dëshmojnë qartas se gjërat kanë ndryshuar dukshëm dhe se shqiptarët janë faktor kryesor në Ballkan.

Deklarata e Daçiqit në Shkup
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00
XS
SM
MD
LG