Ndërlidhjet

Krasniqi: Përgjimet nxjerrin në shesh karakteret e vërteta


Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
“Në jetën time politike, prapaskenat kurrë nuk kanë qenë as formë, as praktikë përbuzëse për punën e shokëve, me të cilët kam bashkëpunuar e bashkëluftuar, me ata që jo pak na ka ndarë fija aq e hollë midis jetës dhe vdekjes”.

Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një reagim dërguar mediave, pas publikimit të përgjimeve të disa zyrtarëve kosovarë, të cilat në thumb kanë pasur vetë Krasniqin.

“E ndiej për obligim t’i përgjigjem opinionit publik lidhur me përgjimet e publikuara në mediet e shkruara dhe elektronike, por edhe në rrjetet e shumta sociale, ku i apostrofuar dhe i sulmuar verbalisht, me një fjalor tejet primitiv jam edhe unë, kryetari i Kuvendit të Kosovës. Në gjithë veprimtarinë time politike publike kam qenë transparent, i vendosur, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se çka mendojnë rivalët apo kundërshtarët e mi politikë, qofshin ata edhe brendapërbrenda partisë sime - PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, ka skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.

“Nëse janë të falsifikuara, aktorët e apostrofuar në këto biseda mund të ngrenë padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustrime të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike”, ka thënë pos tjerash Krasniqi.
XS
SM
MD
LG