Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohen 80 vota të deputetëve për themelimin e Tribunalit


Ilustrim

Ilustrim

Do të nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratimin e themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Ky akt, në Prishtinë po konsiderohet të jetë një nga vendimet më të vështira që po merr Kuvendi i Kosovës këto vitet e fundit.

Zbutja e terminologjisë nga fjala Tribunal në Gjykatë Speciale, sadopak i ka relaksuar edhe qëndrimet e partive parlamentare.

Megjithatë, dilemat rreth miratimit të Gjykatës speciale mbeten të hapura për faktin se në Partinë Demokratike, si partia që drejton me Qeverinë e Kosovës, nuk ka një vendim të prerë dhe unik të të gjithë deputetëve të saj për apo kundër themelimit të këtij institucioni të drejtësisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se gjykata paraqet një padrejtësi ndaj Kosovës. Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e votimit për themelimin e kësaj Gjykate, ngaqë dështimi në Kuvend, do të kthente çështjen për miratim në Këshillin e Sigurimit.

“Ne nuk kemi lejuar asnjëherë që proceset të kthehen prapa. Miratimi në Këshillin e Sigurimit është kthim prapa dhe ne nuk guxojmë të lejojmë kthimin prapa. Por, unë e them, vendimi ynë duhet të jetë në përputhje me interesat e vendit. Mendimi ynë është se kjo Gjykatë është padrejtësia më e madhe që i bëhet vedit, por është edhe një e vërtetë e madhe që kemi një proces të hapur, e i cili duhet të mbyllet”, ka deklaruar Grabovci.

Qëndrimet e Partisë Demokratike, ku ka dilema rreth themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës, është përpjekur t’i zbusë lideri i saj, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se pavarësisht se themelimi i kësaj gjykate përbën një fyerje dhe padrejtësi për Kosovën, ajo do të duhet të themelohet ngaqë Kosova duhet të ruajë bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar.

Aktualisht, dy parti opozitare duket të jenë më të vendosura që të votojnë pro-themelimit të Gjykatës Speciale. Ato janë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Një Gjykatë Speciale që punon me ligjet e Kosovës do ta ketë mbështetjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do ta mbështeste Tribunalin, siç ishte propozuar në fillim, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe se bëhet fjale për një gjykatë që do të funksiononte me ligjet e Kosovës.

“Për tribunal nuk kam qëndrim, ndërsa për një dhomë të posacme që mund të krijohet nga Parlamenti i Kosovës, e përkrahim. Pra, ne e përkrahim votimin e një dhome të posaçme nga parlamenti i Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse nuk ka folur drejtpërdrejt rreth votës për apo kundër, nuk e ka vënë në pikëpyetje vendimin për themelimin e Gjykatës së veçantë. Sipas tij, menjëherë pas marrjes së këtij vendimi dhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it, Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe nuk gjykon luftën e UÇK-së.

“Është çështja e formimit të një Gjykate speciale, jo kundër UÇK-së dhe nuk jam unë ai që e mbroj formimin e saj e as LDK-ja, por nëse themelohet kjo gjykatë, do të merret me individë dhe jo me luftën e drejtë të UÇK-së”, ka thënë Beqiri.

Miratimi i Gjykatës pritet t’i marrë votat edhe të partive politike nga radhët e komuniteteve pakicë.

Ndërkaq, subjekti i tretë opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar kundër themelimit të Gjykatës së veçantë, pasi që e ka vlerësuar si vendim të ngutshëm dhe të dëmshëm.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se partitë tjera po nguten me rreshtimin e tyre pro-themelimit të kësaj Gjykate.

“Në fakt, po kërkohet nga deputetët të votohet për diçka që nuk e dinë se çfarë është. Pra, po kërkohet një ‘çek blanko’ për një institucion, i cili do të merrej me hetimin pastaj të disa aludimeve absolutisht të papranueshme që kanë dalë nga një raport i një senatori të Këshillit të Evropës”, ka theksuar Ymeri.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marty, i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.

Kjo gjykatë pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Kjo e fundit pritet të merret me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur për disa raste që kanë mbetur të pazbardhura nga periudha e konfliktit të armatosur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG