Ndërlidhjet

Ende nuk dihen autorët e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, pas sulmit, 5 gusht 2016
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, pas sulmit, 5 gusht 2016

Ende nuk janë zbardhur motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës dhe autorët e këtij sulmi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për zbardhjen e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit, që ndodhi ditë më parë.

“Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet, përderisa duke vlerësuar faktet, rrethanat dhe kohën në të cilën ka ndodhur sulmi, përveç trajtimit profesional të dëshmive që janë gjetur, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 10, 000 eurosh për cilindo qytetar që ka sado pak informacione që mund të shpien në kapjen sa më të shpejtë të kryesve të këtij akti kriminal”, thotë Hoxha.

Shpërthim në Kuvendin e Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

​Policia e Kosovës, shton Hoxha, “është e përkushtuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe do të përdorë të gjitha mjetet dhe procedurat e ligjshme për kapjen e kryesve të akteve kriminale”.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç kishte njoftuar Policia e Kosovës, ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Shpërthimi kishte ndodhur në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG