Ndërlidhjet

Krimet e luftës do të vazhdojnë të gjykohen nga ndërkombëtarët


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian janë në përfundim të diskutimeve në lidhje me krijimin e një Tribunali apo Gjykata Speciale, varësisht se si do të quhet, që do të merrej me gjykimin e krimeve të supozuara të luftës.

Sipas njoftimeve ende jo zyrtare, kjo Gjykatë Speciale do të përbëhet nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtar. Ndërkaq mund të ketë dy seli, një në Kosovë dhe tjetrën në njërin nga kryeqytetet e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian.

Gjykata jashtë Kosovës, sipas këtyre njoftimeve, do të merrej kryesisht me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe infrastrukturës së nevojshme në Kosovë.

Lëndët kryesore të gjykimeve, është thënë se mund të përfshijnë rastet e dyshuara për përfshirje në krime të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo vetëm atyre.

Analisti Shpend Kursani, formimin e Tribunalit apo Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës e sheh nga dy aspekte.

Përderisa nga aspekti i brendshëm ai mendon se me krijimin e kësaj Gjykate mund të bëhet spastrimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga elementet kriminale, nga aspekti i jashtëm, Kursani vlerëson se mund të ketë efekte negative për imazhin e shtetit të Kosovës.

“Gjykimi dhe dënimi potencial i atyre që kanë bërë krime kundër njerëzimit, pra vrasjen apo dhunimin e civilëve si serb ashtu edhe shqiptarë, do ta pastronte edhe vet UÇK-në dhe UÇK-ja do të dilte e pastër nga gjykimi i këtyre njerëzve. Pra, pastrimin e UÇK-së nga këta njerëz".

"Por, nga aspekti i jashtëm nuk do të jenë efektet e njëjta. Fakti që po krijohet një Gjykatë për Kosovën ajo do ta krijonte mendimin te publiku jashtë Kosovës se në fakt ishte Kosova agresori e Serbia viktima”
, ka thënë Kursani.

Gjykata për krimet e supozuara të luftës po përjetohet nga spektri politik në Kosovë si një goditje e radhës ngaqë cak i hetimeve dhe gjykimeve mund të jenë sërish ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Analisti Shpend Kursani thotë se lidershipi politik nuk ka arritur të promovojë luftën për çlirimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq formimin e një Gjykate të tillë vetëm për rastin e Kosovës, ai e sheh edhe si pasojë të ndërhyrjeve të politikës në gjyqësorin e Kosovës.

“Gjykatat tona ende duket se janë të paafta të merren me krimet e luftës. Jo pse i kemi gjykatësit e paaftë, por ata kërcënohen dhe natyrisht që ndihen si tradhtar nëse gjykojnë dikë për krimet e UÇK-së dhe mendoj që kjo është një mungesë e vetëdijes mbarëshoqërore pse po ndodh kjo".

"Por, edhe krerët shtetëror nuk kanë hezituar që të kërcënojnë, linçojnë e shantazhojnë çdo kënd që ka folur kundër kriminelëve, që fatkeqësisht disa prej tyre kanë qenë edhe në UÇK, e UÇK-ja duhet të pastrohet nga ta”,
ka deklaruar Kursani.

Ndërsa diskutimet Prishtinë – Bruksel në lidhje me këtë Gjykatë po vazhdojnë, kryeministri Hashim Thaçi nuk sheh arsye që ajo të ketë selinë jashtë Kosovës.

Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës Thaçi ka thënë se Kosova i ka institucionet e saj të drejtësisë, sikurse që edhe komuniteti ndërkombëtar i ka përfaqësuesit e vet në Kosovë.

Andaj, ai nuk sheh arsye që selia e kësaj Gjykate të jetë jashtë vendit.

“Kosova i ka institucionet funksionale të drejtësisë. Ndërkombëtarët janë në Kosovë, është EULEX-i është OKB-ja, është NATO, është OSBE-ja, të gjithë janë në Kosovë respektivisht bashkësia ndërkombëtare është në Kosovë”, është shprehur Thaçi.

Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale apo Tribunali për Kosovën, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimisht qe paralajmëruar se do të quhej Tribunal, mirëpo për shkak të terminologjisë së ashpër, tani është gjetur një term më i përshtatshëm që të quhet si Gjykatë Speciale.

Megjithatë, roli dhe detyrat mbeten ato që janë përmendur edhe më herët.

Kjo gjykatë, thuhet se do të merrte përsipër krimet e supozuara të luftës, por edhe ato që kanë mbetur pezull nga vitet 2000 – 2001.
XS
SM
MD
LG