Ndërlidhjet

Lista Serbe kthehet në Kuvend, qeveria mirëpret vendimin


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Deputetët e Listës Serbe kanë marrë vendimin për t’u kthyer në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i Listës Serbe Slavko Simiq.

Simiq tha se vendimi është marrë “në përputhje me interesin e popullit serb, respektivisht të bashkësisë serbe që jeton në Kosovë dhe të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”.

“Ditët e kaluara kemi biseduar brenda Listës Serbe, për të gjithë mekanizmat të cilët i posedojmë, që përmes institucioneve ta kundërshtojmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës dhe ta nisim procesin e krijimit të Asociacionit të Komunave serbe”, tha Simiq.

Sipas tij, “Prishtina dhe politikanët e Kosovës ka kohë që flasin përpara bashkësisë ndërkombëtare sikur duan ta nisin procesin e krijimit të Asociacionit, por për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve në institucione nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë”.

“Duam ta pengojmë Prishtinën që të nisë vetë krijimin e Asociacionit pa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës dhe komunitetin serb, sepse marrëveshja për Asocacionin është në pronësi të popullit serb në Kosovë dhe ne do ta kemi rolin kryesor në hartimin e statutit dhe krijimin e Asociacionit”, tha Simiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se “përmes institucioneve duam të japim kontributin që të ecim drejt procesit të krijimit, të bisedojmë me partnerët tanë të koalicionit, të nisim këtë çështje në mbledhjen e Kuvendit, përmes këshillave të Kuvendit dhe në mbledhjet e qeverisë si dhe në komisionet ndërqeveritare”.

"Përmes institucioneve ta kundërshtojmë çdo ligj dhe proces që është në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe që shkel interesat jetike të komunitetit serb që jeton në Kosovë. Vendimi është marrë në një moment të drejtë dhe mënyra jonë e protestës ka pasur efekt“, tha kryetari i Listës Serbe.

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet qendrore të vendit.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radio Evropa e Lirë se para institucioneve të Kosovës gjenden detyra dhe projekte të mëdha, të cilat kërkojnë përkushtimin e koalicionit qeverisës në tërësi, për t’i funksionalizuar ato.

“Ne si qeveri e përshëndesim këtë hap dhe është mirë që po kthehen, sepse në rend të parë është në të mirën e vet komunitetit serb, i cili ka votuar që këta përfaqësues të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe jo të bëjnë politika jashtë institucioneve të Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se kthimi i përfaqësuesve të Listës serbe në institucionet qendrore të vendit është meritë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili siç ka thënë ai, “ka qenë konsekuent dhe është i bindur se kthimi i Listës Serbe është i nevojshëm edhe për Kosovën, por edhe për komunitetin serb”.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kthimi i Listës Serbe mund të ndërlidhet me mungesën e këtij subjekti politik në afatin prej gjashtë muajve.

Sipas rregullores së punës, mungesa prej gjashtë muajve në Kuvend, nënkupton humbjen e mandatit apo mandateve nëse bëhet fjalë për grup deputetësh, andaj, ai tha se Lista Serbe, duket se me kthimin në institucione ka llogaritur më shumë që t’i ruaj mandatet që i ka në Kuvend.

Lista Serbe në shenjë kundërshtimi me miratimin e ligjit për Trepcën dhe për Investimet Strategjike që prej tetorit të vitit të kaluar ka bojkotuar punën e institucioneve të vendit, përfshirë edhe Kuvendin.

Një përpjekje për kthim u bë pak muaj më parë kur një grup i ndarë i Listës u kthye në Kuvend, duke përjashtuar dy deputetë të saj dhe duke zëvendësuar njërin ministër të Listës me një tjetër. Lista Serbe sërish doli nga institucionet e Kosovës dhe rikthimi i paralajmëruar mund t’i japë fund bojkotit disa muajsh.

Vendimin për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës e ka ‘mbështetur’ Beogradi zyrtar.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka thënë televizionit shtetëror serb në Beograd se “e respekton vendimin e përfaqësuesve serbë për kthim në Kuvendin e Kosovës dhe që pavarësisht rrethanave të vështira, aktivisht ta kundërshtojnë krijimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës”.(REL)

XS
SM
MD
LG