Ndërlidhjet

“Për nder nuk e di! S’kam ide”, përgjigjet dyzetvjeçari Arifi kur pyetet se kur ka dëgjuar se do të liberalizohen vizat për shtetasit e Kosovës.

Arsim Hyseni, një tridhjeteshtatëvjeçar nga Prishtina, thotë se ka dëgjuar shumë data përmes medieve se kur pritet t’i hiqen vizat Kosovës.

“Këtë vit kanë thënë. Për këtë vit, 2014. Është e rëndësishme që të hiqen vizat!”
, thotë Hyseni i papunë.

“S’ke çka flet, se s’ka gjë prej kësaj pune! Për herë të fundit kanë thënë në qershor, por s’ka për të dal ashtu!”, ndërhyn miku i tij Osman Metolli.

Analizat e “pulsit publik” tregojnë se 90 për qind e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se liberalizimi i vizave është çështje shumë e rëndësishme.

Krerët e institucioneve në Prishtinë, janë kritikuar disa herë për dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian, prej se më 2010 kreu i qeverisë kishte thënë se kjo do të arrihet për gjashtë muaj.

Madje viti 2013, ishte shpallur nga kryeministri Hashim Thaçi edhe si vit i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Mirëpo, zëvendësministri i integrimeve evropiane Gëzim Kasapolli thotë se skena politike në Kosovë mund t’i ketë fajet për këtë lojë me data se kur pritet që shtetasit e Kosovës të udhëtojnë pa viza për në vendet e Bashkimit Evropian.

E për këtë arsye thotë se duhet të ketë kujdes.

Ndoshta edhe ne në anën tonë kemi pasur probleme, por edhe nga ana e Komisionit Evropian. Dhe kjo më rezervon pak nga dhënia e datave, për arsye se një vendimi i tillë politik i cili pritet, besoj që shkon edhe përtej një qasje tonë pozitive në këtë rrafsh. Unë për atë arsye, do të rezervohem nga dhënia e datave”, ka thënë ai.

Në fakt, eurodeputetja Ulrike Lunacek ka thënë kohë më parë se zgjedhjet evropiane që zhvillohen këtë vit, janë një sinjal i qartë për Prishtinën se më 2014 nuk duhet të pritet një vendim.

Madje, sipas saj, dy apo tri vjet mund të zgjasë procesi i liberalizimit.

Shtetasit e Kosovës janë të vetmit të izoluar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, dhe u është privuar të udhëtojnë pa viza në vendet e Shengenit.

Zëvendësministri për Evropë, Gëzim Kasapolli thotë se Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së të gjitha proceseve të cilat kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve.

“Ajo çfarë po presim ne sot është që Komisioni Evropian të dal me një vlerësim të vërtetësisë së asaj çfarë themi ne. Sepse ne besojmë se këto kushte i kemi plotësuar, ndërsa Komisioni Evropian padyshim se duhet të jap vlerësimin e vet. Duhet të jemi realist në këtë proces, tash kemi ardhur në fazën e një vendimi politik më shumë sesa vendimi teknik”, thotë ai.

Ai shton se vlerësimi nga takimi i fundit ishte se Kosova është në rrugë të mirë të përmbushjes së kritereve.

Por në opinion, vlerësimi është i përzier rreth çështjes së përmbushjes së kritereve nga ana e palës kosovare.

“Për liberalizimin e vizave kanë thënë, sidomos Vlora Citaku, ka folur për këtë gjë, prej se është bërë ministre për integrime. Çdo dy javë, çdo muaj ka thënë liberalizimi i vizave, liberalizim i vizave. Është kryer, është punë e kryer! Liberalizimi i vizave është hazër! Kurse liberalizimi s’është askund hiq! E kanë thënë shumë mirë evropianët, se deri më 2020, edhe atëherë është pikëpyetje. Ti shqyrtojmë gjërat! A po a jo!”, thotë Muhamet Vitija, një shitës ambulator në Prishtinë.

Rrahim Demolli, thotë se për udhëtim pa viza, po flitet shumë e rezultatet nuk po shihen.

“Ende duhet shumë punë për të arritur tek ai qëllim. Jo pse është faji i popullatës, por faji është i institucioneve tona. S’mundemi ne me këtë standard [jetese] me shkua në Evropë. Nëse nesër ua hapin rrugën, e kam bindjen, dhe ndoshta e kam gabim, por 40% e popullatës ikin. Ndoshta njëri prej tyre do t’isha edhe unë, edhe pse jam në marrëdhënie pune”, thotë mësuesi dyzetegjashtë vjeçar nga Prishtina.
XS
SM
MD
LG