Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Nismë për ndryshimin e Kushtetutës


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Zgjedhjet për president që duhet të mbahen më 13 prill, vazhdojnë të thellojnë hendekun mes partive në pushtet, VMRO DPMNE-së, së kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe BDI-së së Ali Ahmetit.

Derisa partia shqiptare që participon në qeveri mbetet në qëndrimin se vendit i duhet një kandidat konsensual për president, i pranueshëm si nga maqedonasit, ashtu edhe nga shqiptarët, VMRO DPMNE-ja thotë se nuk do të pranojë që dikush tjetër t’i diktojë në përzgjedhjen e kandidatit dhe se këtë do ta bëjë vet ajo në kongresin e caktuar më 1 mars.

Madje, ditë më parë, dhjetëra intelektualë të sferave të ndryshme, e që llogariten të afërt me partinë maqedonase në pushtet, kanë dorëzuar firmat e tyre me kërkesën për rikandidimin edhe për një mandat të presidentit aktual, Gjorgje Ivanov, për të cilin, nga ana tjetër, as që dëshiron të dëgjojë BDI-ja.

Kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do t’i bojkotojë ose jo zgjedhjet, por tashmë ka dalë me qëndrimin se menjëherë pas këtyre zgjedhjeve do të kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Kuvend.

“Nëse nuk pranohet propozimi për zgjedhjen e një presidenti konsensual, BDI-ja për zgjedhjet e ardhshme, do të iniciojë ndryshime kushtetuese, që do të sjellin deri te zgjedhja e presidentit në Kuvend. Ne mendojmë se në këtë mënyrë do të arrihej konsensualiteti më mirë. Do të punojmë që këto të jenë zgjedhjet e fundit ku presidenti zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta”, deklaron zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Nga VMRO DPMNE-ja nuk e komentojnë këtë qëndrim të BDI-së, por thonë se mbeten në qëndrimin që këto zgjedhje të zhvillohen ashtu siç parashihet me Kushtetutë dhe çdo parti të propozojë kandidatët e tyre nëse vendosin të marrin pjesë në zgjedhje.

Ekspertët thonë se të gjitha këto deklarime bëhen për qëllime politike, pasi si njëra, ashtu edhe pala tjetër, tashmë janë marrë vesh lidhur me taktizimet që do t’i kenë në këto zgjedhje.

Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin FON të Shkupit, thotë se edhe më parë janë dhënë sugjerime që partitë shqiptare të kërkojnë zgjedhjen e presidenti në Kuvend, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet presidenti konsensual.

“Të gjitha deklaratat e deritashme, përfshirë edhe këtë, janë në kontekst të politikës ekzistuese, pra, të kombinimeve politike lidhur me proceset, të cilat pritet të ndodhin në të ardhmen. Kjo, do të thosha, është vetëm blerje kohe për momentin, pasi realisht presidenti me këto kompetenca që ka, ai duhet të zgjidhet në Kuvend, pasi ne nuk jemi shtet gjysmë-presidencial, e aq më pak presidencial”, vlerëson Bilalli.

Ai thotë se partitë shqiptare, edhe sikur të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të insistojnë që kreu i shtetit të zgjidhet me votim të dyfishtë apo me parimin e Badenterit siç njihet këto marrja e pëlqimit edhe nga shumica e deputetëve të bashkësive etnike.

“Derisa ne zgjedhim organe tjera, siç është Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor apo Avokati i Popullit me parimin e Badenterit, aq më tepër duhet që në këtë formë të zgjidhet edhe presidenti i shtetit, pasi ai duhet të jetë personi, i cili me autoritet të lartë duhet t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Pra, nuk duhet aspak të ketë dilema, pasi ai duhet të zgjidhet me votim të dyfishtë”, shton Bilalli.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 13 prill dhe aktualisht përveç disa kandidaturave të pavarura, asnjëra nga partitë e mëdha zyrtarisht nuk ka publikuar emrat e kandidatëve të tyre.

Në rast të përshkallëzimit të krizës, gjasat janë reale që paralelisht me zgjedhjet presidenciale, të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG