Ndërlidhjet

Tensione në Shkup, protestuesit demolojnë bazamentin e kryqit


Janë shënuar tensione në Shkup gjatë protestës të së enjtes, të organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, kundër vendosjes së një kryqi të lartë 56 metra në Butel, një lagje e banuar me popullatë të përzier etnike.

Protestuesit kanë kundërshtuar vendimin e komunës për ngritjen e simbolit të krishterë, me arsyetimin se me këtë akt rrënohet bashkëjetesa, jo vetëm në këtë pjesë të Shkupit, por edhe më gjerë në Maqedoni.

Protesuesit kanë demoluar bazamentin për vendosjen e kryqit, ndërsa më pas kanë vendosur tenda, në të cilat janë vendosur zyrtarët e partisë së Ali Ahmetit.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti ka thënë se simbolet fetare nuk e kanë vendin në rrugë, por në institucionet fetare.

Ai ka thënë se vendimi ishte miratuar me anashkalimin e këshilltarëve shqiptarë të Butelit.

“Suspendimi i parimit të Badinterit e suspendon Marrëveshjen e Ohrit, garancën politike për një Maqedoni multietnike, të integruar dhe gjithëpërfshirëse. Kryqet e minaret e kanë vendin tek kishat e xhamitë. Le t’ia lejmë prijësve fetarë punët e Zotit, e politikën ta rikthejmë në debat të shëndoshë e produktiv mes politikanëve, si mënyrë optimale për ta çuar vendin përpara”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Vendosja e kryqit është bërë me nismë të Kongresit Botëror maqedonas dhe ishte përkrahuar nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, me të cilën BDI-ja është në koalicion qeverisës.

Tensionet dhe vendimi për vendosjen e kryqit pason një vendim të BDI-së për vendosjen e një simboli me shqiponjën, në komunën e Çairit, të banuar kryesisht me shqiptarë.

XS
SM
MD
LG