Ndërlidhjet

Kazakistan: Kanë përfunduar bisedimet për armëpushim në Siri


Pamje nga leximi i deklaratës finale të mbledhjes në Astana të Kazakistanit
Pamje nga leximi i deklaratës finale të mbledhjes në Astana të Kazakistanit

Zyrtarët e Rusisë, Turqisë dhe Iranit, në takimin e tyre në Kazakistan, janë pajtuar për krijimin e mekanizmit për monitorimin e armëpushimit të ndejshëm në Siri.

Në takimin dyditësh në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e qeverisë së Sirisë dhe grupet opozitare siriane, që janë takuar në mënyrë indirekte, me shpresë se do të arrihet respektim në gjithë Sirinë i armëpushimit të pajtuar në muajin dhjetor.

Sot, në deklaratën e përbashkët në fund të bisedimeve, thuhet se Irani, Rusia dhe Turqia, në mënyrë të përbashkët, do ta vëzhgojnë armëpushimin dhe do “të sigurojnë bashkëpunim të plotë, do të parandalojnë çfarëdo provokimesh dhe do të përcaktojnë të gjitha modalitetet e armëpushimit”.

Të tri vendet, po ashtu, e kanë riafirmuar synimin e tyre për të luftuar kundër grupit, Shteti Islamik, dhe Jabhat al-Sham (dikur i njohur me emrin Fronti Al-Nusra), dhe për “ndarjen e tyre nga pjesa tjetër e opozitës së armatosur”.

Rusia është kritikuar ashpër për sulmet e saj ajrore kundër grupeve të moderuara opozitare, që mbështeten nga Turqia dhe konalicioni i vendeve, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që luftojnë për përmbysjen e qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të cilën nga ana tjetër, e mbështesin Rusia dhe Irani.

Nuk është e qartë nëse përfaqësues të qeverisë së Sirisë apo ata të grupeve opozitare e kanë nënshkruar deklaratën përfundimtare të përbashkët.

Vlerësohet se 300 mijë njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur prej vitit 2011, kur ka filluar lufta civile në Siri.

XS
SM
MD
LG