Ndërlidhjet

Kosova vazhdon të ketë numër të madh të të papunëve.

Për zbutjen e shkallës së lartë të papunësisë, sektori privat po bën përpjekje që të gjenerojë vende të reja të punës, por që edhe për këta të fundit, hapja e vendeve të reja të punës nuk është një gjë e lehtë.

Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, papunësia në Kosovën arrin në 38 për qind, derisa përfaqësues të punëtorëve dhe organizatat joqeveritare, vlerësojnë se kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, dhe atë mbi 60 për qind.

Në projektet e punësimit që bëhen në Kosovë, numri i punëkërkuesve është i madh, derisa prej tyre arrijnë të punësohen shumë pak.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i cili në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, çdo vit organizon projektin për punësim të të rinjve, thotë se ky projekt ka rezultuar të jetë i suksesshëm, por siç thotë ai, është e pamundur të punësohen të gjithë ata të cilët kërkojnë punë, pasi që numri i të papunëve është tejet i lartë.

Fluksi i ‘armatës’ së të papunëve në Kosovë, çdo ditë është në rritje, kurse numri i atyre që arrijnë të punësohen është më i vogël, në krahasim me kërkesat. Ky projekt është i suksesshëm, pasi që çdo vit arrin t’i punësojë rreth 500 të papunë. Por, e keqja është se në Kosovë kemi vetëm një projekt të tillë, që ka për qëllim të drejtpërdrejtë punësimin”, thekson Shahini.

Për të gjeneruar vende të reja të punës, ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se kjo mund të bëhet vetëm në rast se krijohet një ambient më i favorshëm biznesor.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë politika më të favorshëm ekonomike për sektorin privat.

Qeveria e Kosovës duhet t’i zvogëlojë tatimet, duhet të ndihmojë bizneset e reja të cilat hapen, dhe ato të mos ngarkohen me tatime. Të ndihmohen investitorët e jashtëm, pasi që investimet krijojnë vende te reja të punës”, thotë profesor Tahiri.

Ai thotë se për të gjeneruar vende të reja të punës, duhet të bëhet aktivizimi i sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë. Sipas tij, këto dy veprimtari arrijnë të punësojnë një numër të madh të të papunëve.

Sa i përket projekteve të punësimit, Tahiri thekson se çdo projekt që ka për qëllim punësimin është i mirë, por që sipas tij, në Kosovë, këto projekte kanë më shumë qëllim të promovimit të biznesve.

Iniciativa e bizneseve që kanë marrë për ngritjen e punësimit është një iniciativë e mirë, por është shumë modeste. Ata kanë qëllim për të punësuar, por më shumë kanë për qëllim promovimin e biznesit të tyre”, shprehet Tahiri.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se deri në fund të viti 2015, në sektorin publik nuk do të ketë vende të reja të punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në vitin 2015, në tregun e punës në Kosovë do të hyjnë edhe mbi 100 mijë të papunë.

Ai thekson se këta të papunë, as sektori privat nuk do të arrijë t’i punësojë.

Sektori privat është alfa dhe omega për punësim gjatë kësaj kohe, por sektori privat duhet të shikohet si partner. Të gjitha janë tatimpaguese dhe duhet të trajtohen mirë nga institucionet shtetërore dhe nga konsumatoret, që të konsumojnë produkte vendore, në mënyrë që sektori privat të ketë mundësi të ofrojë më shumë vende të reja të punës”, thotë ai.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG