Ndërlidhjet

Sulmet në Paris - “akt i luftës” nga Shteti Islamik


Më shumë se 120 të vrarë në Paris
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Dhjetëra të vrarë në Paris

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se sulmet e së premtes në Paris kanë vrarë 127 persona dhe se janë kryer nga ekstremistët e grupit të quajtur Shteti Islamik.

Duke i cilësuar sulmet si “akt të luftës”, Hollande ka thënë se ato janë planifikuar dhe organizuar nga jashtë, me ndihmë brenda Francës.

“Është një akt i barbarizmit absolut. Aktualisht, janë 127 të vdekur dhe shumë të plagosur. Familjet janë në dhimbje, ato janë në gjendje të vështirë, vendi po vuan. Kam shpallur tre ditë të zisë kombëtare”, ka thënë Hollande.

Pak minuta më vonë, Shteti Islamik ka thënë nëpërmjet një deklarate të postuar online se “tetë vëllezër me rripa shpërthyes dhe pushkë sulmuese”, kanë kryer sulmet.

Grupi ekstremist ka thënë se ato janë përgjigje për fyerjet ndaj profetit të Islamit dhe për sulmet ajrore në “territorin e Shtetit Islamik”.

Si pasojë e sulmeve të shumëfishta, Franca ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe ka forcuar kufijtë e saj.

Sulmuesit kanë përdorur bomba vetëvrasëse dhe armë, si dhe kanë brohoritur slogane islamiste.

Pamje nga dalja e pjesëmarrësve nga salla e koncertit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

(Kujdes:Video përmban imazhe grafike)

Rreth tetëdhjetë njerëz janë vrarë kur sulmuesit kanë hyrë në sallën e koncerteve “Bataclan” dhe kanë marrë pengje.

Njerëzit janë qëlluar për vdekje në restorante dhe bare në disa lokacione të tjera në Paris. Sulme të dyfishta vetëvrasëse ka pasur edhe pranë stadiumit kombëtar Stade de France, ku Gjermania dhe Franca kanë qenë duke luajtur ndeshje miqësore.

Në stadium kanë qenë të pranishëm presidenti i Francës, Hollande, ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, të cilët janë evakuuar menjëherë.

​Tetë sulmues raportohet se janë vrarë, shtatë nga të cilët kanë hedhur veten në erë. Sipas policisë, nuk është ende e qartë nëse ndonjë bashkëpunëtor i sulmuesve është në arrati.

Këto janë sulmet më vdekjeprurëse në Evropë që nga bombardimet në Madrid, në vitin 2004.

Rreth 1,500 ushtarë francezë janë shpërndarë nëpër Paris, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Të gjitha shkollat, bibliotekat, palestrat, pishinat dhe tregjet janë mbyllur të shtunën, ashtu si edhe Disneyland. Të gjitha ndeshjet sportive në zonën e prekur të Parisit, po ashtu, janë anuluar.

Momenti i shpërthimeve dëgjohet në stadium
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Bota dënon sulmet në Paris

Liderët botërorë i kanë dënuar ashpër sulmet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka përshkruar ato si “sulm ndaj të gjithë njerëzimit dhe vlerave universale që ndajmë”.

Ata që mendojnë se mund të terrorizojnë popullin e Francës apo vlerat e tij, gabojnë. Populli amerikan ka marrë forcë nga angazhimi i popullit francez për jetë, liri dhe ndjekje të lumturisë”, ka thënë Obama.

“Ngjarjet në Paris janë aktet më të këqija të dhunës në Francë, qysh nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë kryeministri i Britanisë, David Cameron.

“Prapa nesh qëndron një nga netët më të tmerrshme që ka parë Evropa pas një kohe të gjatë. Njerëzit në Paris kanë pësuar makth të dhunës, terrorit dhe frikës”, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmet nuk mund të përshkruhen me vlera humanitare dhe morale.

“Dua t’i shpreh ngushëllime homologut tim, Hollande, dhe popullit francez për humbjet e tyre. Shpresoj që të plagosurit do të shërohen shpejt”, ka thënë Erdogan.

Vatikani, ndërkaq, i ka përshkruar sulmet si goditje mbi paqen dhe gjithë njerëzimin. Sulmet janë dënuar edhe nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nga zyrtarët palestinezë e të tjerë.

Në muajin janar, ekstremistët islamistë kanë vrarë 18 persona në dhe përreth Parisit.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG