Ndërlidhjet

Kur ëndrra evropiane shndërrohet në makth…


Qytetarë të Afganistanit
Qytetarë të Afganistanit

Për afganët që vendosin të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës, ëndrra mund të kthehet shpejt në makth.

Shumica vdesin nga uria dhe sëmundjet, derisa kalojnë përmes Iranit dhe Turqisë, në përpjekje për të arritur brigjet e Evropës.

Të tjerë qëllohen për vdekje nga policia kufitare në Iran, ose mbyten kur anijet e dobëta fundosen në rrugën nga Turqia për në Greqi. Ka po ashtu që rrihen, plaçkiten dhe lihen të vdekur në rrugë.

Tregimet e tyre janë nxjerrë në pah përmes qindra mesazheve të të afërmve të tyre, që kanë kontaktuar Radion Afganistani i Lirë në përpjekje për të përcaktuar fatin e të dashurve.

Në mesin e tyre është Abdul Aziz Akhunzada, dy djemtë e të cilit janë zhdukur në Iran muajin e kaluar.

Djemtë e Akhunzadas, për të udhëtuar me gratë e tyre, u kanë paguar kontrabanduesve nga 100 dollarë për person.

Ata janë marrë nga provinca Nimroz e Afganistanit dhe janë dërguar në qytetin kufitar të Iranit, Zahedan. Pasi janë kontrabanduar në një kamion me dhjetëra migrantë të tjerë, plani i tyre ka qenë që t’iu paguajnë trafikuesve për t’i dërguar në Gjermani.

Por, plani ka shkuar keq, thotë Akhunzada, kur djemtë e tij janë sulmuar nga persona të armatosur, pasi kanë arritur në qytetin Zahedan.

“Një makinë e bardhë ka ndaluar dhe ka sulmuar kamionin. Trafikuesit kanë punuar së bashku me banditë. Ata i kanë marrë djemtë e mij dhe nuk e di ende se ku janë”, rrëfen Akhunzada.

Ai thotë se trafikuesit i kanë marrë rejat e tij në Teheran dhe se nuk ka arritur të bie në kontakt me to.

Akhunzada thotë se ka paraqitur rastin në Ministrinë afgane për Refugjatë dhe Riatdhesim dhe në Ambasadën e Iranit në Kabul. Por, babai i brengosur thotë se zyrtarët i kanë ofruar pak ndihmë.

Djemtë e Akhunzadas janë në mesin e dhjetëra-mijëra afganëve, që kanë lënë vendin e tyre në kërkim të strehimit dhe një jete më të mirë në vendet perëndimore.

Tërheqja e trupave dhe organizatave të huaja nga Afganistani ka lënë vakuum të sigurisë në shumë zona, pastaj papunësi masive dhe ekonomi të dobët. Talibanët kanë marrë më shumë territor dhe dhuna është në rritje.

Shumë afganë thonë se qeveria e re ka bërë shumë pak për të përmirësuar jetën e tyre.

Evropa është bërë destinacion i preferuar në muajt e fundit.

Afganët i kanë parë pamjet e fundit të evropianëve duke mbajtur letra me mbishkrimin “Mirë se vini refugjatë” dhe kanë shpërndarë fjalët se Gjermania është e hapur për të pranuar refugjatë.

Në fakt, vetëm 21 përqind e të gjithë refugjatëve afganë, që kanë aplikuar për azil në Gjermani, vitin e kaluar, janë refuzuar.

Afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të migrantëve, pas sirianëve, që arrijnë në Evropë, ku shtetet janë duke luftuar për të përballuar fluksin masiv të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika e Veriut.

Numri i afganëve që kërkojnë azil në vendet e industrializuara ka kaluar tashmë të gjitha vitet e mëparshme qysh më 2001.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se afganët përbëjnë 14 përqind të 381,412 njerëzve që kanë arritur në Evropë përmes detit, këtë vit.

Akhunzada thotë se në qytetin e tij, Baghlan, një zonë që dikur ka qenë relativisht e qëndrueshme, nuk ka punë dhe siguria po përkeqësohet nga dita në ditë.

“Nuk ka as punë, as jetë këtu. Jemi 100 shtëpi këtu. Betohem se as dhjetë prej tyre nuk kanë bukë për të ngrënë. Të gjithë jemi të uritur”, thotë Akhunzada.

Në Kabul, qindra njerëz presin çdo ditë në radhë para zyrës kryesore të pasaportave, për të marrë dokumentet e udhëtimit dhe për të ikur. Deri në 50 autobusë të mbushur largohen çdo ditë drejt kufirit me Iranin.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG