Ndërlidhjet

logo-print

Çmimi i “kontrolleve mjekësore” të Vuçiqit në Rusi

  • Gordana Knezheviq, Radio Evropa e Lirë

Takimi Vuçiq - Putin në Moskë, 26 maj 2016

Takimi Vuçiq - Putin në Moskë, 26 maj 2016

Kur kryeministri i rizgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka premtuar se do të formojë qeverinë e re deri në mes të qershorit, janë pritur pak befasi. Ka pasur spekulime se të dyshuarit e zakonshëm do të udhëheqin poste të rëndësishme ministrore. Por, këto janë dëgjuar deri në udhëtimin e fundit të Vuçiqit në Moskë, më 26 maj, ku ai ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin. Krejt papritur, përbërja e kabinetit të ri është bërë temë e nxehtë e bisedës në Beograd.

Udhëtimi i Vuçiqit fillimisht është cilësuar si i natyrës private. E përditshmja beogradase Blic ka cituar burimet zyrtare të kenë thënë se kryeministri ka qenë në Moskë për disa teste mjekësore. Megjithatë, deklaratat nga Moska kanë sugjeruar ndryshe. Në ueb-faqen zyrtare të presidentit të Rusisë, Putin ka uruar Vuçiqin për fitoren e partisë së tij në zgjedhje dhe ka bërë komente të caktuara rreth përbërjes së qeverisë së ardhshme të Serbisë.

Vuçiq vazhdon të këmbëngulë se nuk ka asnjë kontradiktë midis angazhimit të tij për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënieve miqësore me Rusinë. Por, në prag të formimit të qeverisë së re, ka më shumë pyetje sesa përgjigje. A është e detyruar Serbia të ndjekë urdhrat e Moskës? Cilët janë interesat kryesore të Putinit në Beograd dhe si do të reflektohen ato në qeverinë e re? Dhe, sa kohë do të mund të ecë Vuçiq në litarin midis Moskës dhe Brukselit?

Edhe në vitin 2012, Vuçiq ka pasuar fitoren e tij në zgjedhje me një udhëtim të paparalajmëruar në Moskë. Sikurse edhe këtë herë, është thënë se ai ka qenë atje për kontroll mjekësor. Kjo ka bërë që Drazha Petroviq, kryeredaktor i magazinës politike në Beograd, Danas, të pyetet nëse BE i ngre presionin e gjakut Vuçiqit dhe ai ka nevojë për Putinin që ta zbresë atë poshtë.

Këtë vit, duke folur në Kremlin pas takimit me Vuçiqin, presidenti rus ka thënë se shpreson se “çfarëdo përbërjeje që ka qeveria e re, do të ketë vend të duhur në të për ata që kujdesen për marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Serbisë”.

Kjo deklaratë mund të lexohet si kërkesë për t’iu dhënë politikanëve pro-rusë tri poste kryesore: Ministrinë e Jashtme, atë të Mbrojtjes dhe të Energjetikës.

Dragan Petroviq, ekspert për Rusinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Moska është duke bërë çmos për të mbrojtur interesat e saj në Serbi dhe në rajon.

“Sipas mendimit tim, Rusia do të preferonte të shihte parti të tjera në pushtet në Serbi, si (partinë e ekstremit të djathtë) Dveri, por pasi kjo aktualisht nuk është e mundur, ajo do që shohë socialistët e Ivica Daçiqit dhe ndoshta Partinë Serbe Populiste të Nenad Popoviqit në qeveri, si garanci minimale të interesave rusë”, ka thënë Petroviq.

Vladimir Gligorov, ekonomist me seli në Vjenë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pas takimit të Vuçiqit me Putinin, socialistët mund të përfshihen vërtet në qeverinë e re. Duke i komentuar arsyet se përse Vuçiq do t’i lejonte rusët të kenë një rol të madh në formën e fundit të Qeverisë serbe, Gligorov ka thënë:

“Ndikimi i Rusisë në Serbi është i fuqishëm, ashtu si edhe brenda vetë partisë së Vuçiqit. Vuçiq është i vetëdijshëm se ka nevojë për mbështetjen e zyrtarëve rusë dhe kjo mbështetje ka çmim”.

Jelica Miniq, nga Lëvizja Evropiane në Serbi, ka thënë se nëse një ngjarje përsëritet, atëherë bëhet fjalë për model.

“Këtë herë, çfarëdo që është thënë, mesazhi është i qartë: Rusia ka rol në formimin e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo.

Miniq ka vënë theksin mbi interesat ekonomikë të Rusisë në Serbi dhe i ka lidhur ata me rritjen e interesave të saj politikë. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka premtuar se do të ndihmojë Serbinë në shumëllojshmërinë e burimeve të saj të energjisë dhe në zvogëlimin e varësisë nga Rusia, por ka qenë shumë i ngadalshëm në zbatimin e kësaj praktike si në Serbi, ashtu edhe brenda vetë bllokut.

Vuçiq mund të mendojë se ka pak zgjedhje dhe se duhet të ndjekë recetat e Rusisë, por çmimi i “kontrolleve të tij mjekësore” në Moskë është duke u rritur. Nëse Putin shtrin ndikimin në përbërjen e Qeverisë së Serbisë, sovraniteti i këtij vendi është me siguri në rrezik dhe qëndrimi në rrugën drejt BE-së mund të jetë edhe më i vështirë. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG