Ndërlidhjet

Protestat në Maqedoni zgjerojnë veprimin


Protestat në Shkup, 2 qershor 2016

Protestat në Shkup, 2 qershor 2016

Lëvizja Protestoj në Maqedoni ndryshon dinamikën dhe formën e protestave. Nga hedhja e ngjyrave mbi objektet qeveritare, protestuesit po bllokojnë tani edhe udhëkryqet.

Protestat e organizuara nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Protestoj” kanë hyrë në javën e tetë. Drejtuesit e “revolucionit shumëngjyrësh” thonë se protestat, përpos ngjyrosjes së institucioneve shtetërore, do të shtrihen në më shumë dimensione, siç edhe bënë gjatë ditës së mërkurë kur bllokuanudhëkryqet kryesore në kryeqendrën e Maqedonisë Shkup, duke paralizuar tërësisht trafikun. Aleksandar Donev thotë se qëllimi është që pushteti të detyrohet të dëgjojë kërkesat e qytetarëve.

“Bëhet fjalë për një ri-formatimtë protestave me atë që do të bllokohet jeta normale në kryeqytet dhe jo vetëm, sepse në këtë gjendje të thellë krize nuk mundet të mbyllim sytë para realitetit dhe të bëjmë sikur jetojmë në një shoqëri normale, meqë në këtë situatë asgjë s’është normale. Institucionet janë vënë në mbrojtje të krimit dhe jo ta luftojnë atë...”, thotë Aleksandar Donov.

Ndërkaq, Hasan Jashari, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se nuk mund të priten efekte të menjëhershme nga shprehja e pakënaqësisë së qytetarëve kundrejt politikave të qeverisë, përderisa strukturat udhëheqëse të qeverisë kanë shtrirë rrënjët thellë në çdo pore të shoqërisë.

“Këtu nuk flitet për një garniturë njerëzish që përfshin pesë ose gjashtë ministra, dhjetëra deputetë, udhëheqës të dy ose tre partive politike, por flitet për një strukturë jashtëzakonisht të madhe të përbërë nga më shumë politikanë, deputetë, ministra, drejtorë të institucioneve shtetërore. Këtu kemi dhe përfshirjen e bankave , institucioneve të ndryshme financiare."

"Gisht ka edhe policia sekrete dhe e gjithë kjo rezulton me atë se kjo strukturë udhëheqëse e qeverisjes aktuale, e cila kontrollon kaq shumë para, ka pas mundësi të ushtrojë kaq shumë pushtet është shumë vështirë të demontohet thënë kushtimisht lehtë përmes protestave”, vlerëson Hasan Jashari, sociolog.

Megjithatë, Aleksandar Donev, nga lëvizja “Protestoj”, shpreh bindjen e tij se presioni që bën revolucioni shumëngjyrësh ka dhënë frytet e para.

“E dini se presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, u detyrua të tërheqë një pjesë të vendimit të tij për falje edhe pse më duhet të theksoj se ne nuk jemi të kënaqur me tërheqjen e pjesshme të këtij vendimi. Kjo sepse të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe këtu nuk do të lejojmë asnjë kompromis deri në tërheqjen e plotë të vendimit për falje. Gjithashtu kërkojmë dhe dorëheqjen e presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov."

"Nga Gjykata Kushtetuese kërkojmë që të prononcohet sa më parë rreth kushtetutshmërisë së funksionimit të Prokurorisë Speciale, duke larguar çfarëdo qoftë presioni juridik gjatë funksionimit të këtij institucioni, formimin e një qeverie teknike e cila do ta përgatisë Maqedoninë të futet në një proces të besueshëm zgjedhor”, thotë Alsandar Donev.

Protestat e organizatave joqeveritare kundër politikave të qeverisë, përveç partisë më të madhe në opozitë, Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë, janë mbështetur dhe nga disa parti shqiptare, të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament.

Ndryshe, protestat e organizuara nga Lëvizja “Protestoj” për çdo ditë fillojnë në orën 18-të, para godinës së prokurorisë speciale, për t’i dhënë mbështetje këtij institucioni, dhe vazhdojnë me ngjyrosjen e objekteve të Shkupit 2014, si dhe institucioneve të shtetit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG