Ndërlidhjet

Paraburgoset djali i një prej themeluesve të Republikës Islamike të Iranit 


Ahmad Montazeri
Ahmad Montazeri

Djali i një prej themeluesve të republikës islamike është arrestuar pasi duhet të kryej gjashtë vjet burg për shkak të publikimit të një regjistrimi audiofonik, 10 vjet të vjetër, gjatë të cilit i ati dëgjohet duke dënuar ekzekutimet politike të të burgosurve në vitin 1988.

Ahmad Montazeri është ftuar fillimisht nga një gjykatë fetare më 22 shkurt, dhe më pas mësohet se ai do të mbahet në paraburgim, sipas një deklarate që është publikuar në faqen e internetit të Montazerit.

Kleriku 60 vjeçar, është djali i Ajatollah Hossein Ali Montazeri, që dikur ishte pasardhësi i Ajatollah Tuhollah Khomeini, lideri i revolucionit të vitit 1979.

Në muajin gusht, Ahmad Montazeri e ka publikuar një regjistrim 40 minutësh të babait të tij, nga viti 1988, ku ai dëgjohet të fjaloset me pjesëtarët e gjyqësorit puna e ekzekutimeve.

Sipas Amnesty International, zyrtarët e Iranit kanë ekzekutuar rreth 5 mijë disidentë politik në fund të luftës së vitit ’88 me Irakin.

Hossein Montazeri, ka qenë një nga liderët e pakët të Iranit që kanë folur kundër urdhërit të Khomeinit për ekzekutimin e të burgosurve.

Nëntorin e kaluar, një gjykatë speciale e klerikëve e ka dënuar Ahmad Montazerin me 10 vjet burg me akuzën se “ka vepruar kundër sigurisë kombëtare” dhe “zbulimin e një audio regjistrimi sekret”.

Por, gjykata më pas e ka reduktuar dënimin në gjashtë vjet burg, për shkak të të kaluarës pa dënime dhe faktit se i vëllai i Ahmadid është vrarë në një sulm të një grupi marksist që Teherani e konsideron organizatë terroriste.

I ati, Hossein Montazeri, i cili është mbajtur në arrest shtëpiak për vite të tëra, ishte shndërruar në babain shpirtëror të lëvizjes opozitare të Iranit. Ai ka vdekur në vitin 2009.

XS
SM
MD
LG