Ndërlidhjet

Sulmet në Paris “janë planifikuar” nga Siria


Policia franceze ka publikuar fotografinë e të dyshuarit kryesor për sulmet në Paris...
Policia franceze ka publikuar fotografinë e të dyshuarit kryesor për sulmet në Paris...

Sulmet e së premtes në Paris janë planifikuar dhe organizuar nga Siria, ka thënë kryeministri i Francës, Manuel Valls.

Ai ka thënë se autoritetet besojnë se sulme të reja terroriste janë planifikuar në Francë dhe shtete të tjera të Evropës.

Valls ka thënë se Franca po përballet me një “ushtri terroriste” dhe jo me një grup terrorist.

Kërkime masive, ndërkaq, janë duke u zhvilluar për anëtarët e mbijetuar të grupit islamist, i cili ka vrarë 132 persona, të premten në Paris.

Policia ka identifikuar Salah Abdeslamin, 26 vjeç, si të dyshuar kryesor.

Ai thuhet se ka marrë me qira një makinë Volkswagen Polo, e cila është përdorur nga sulmuesit. Makina është gjetur pranë një salle të koncerteve në Paris, e cila ka qenë cak i sulmeve.

Të shtunën, Abdeslam ka qenë në një automjet, i cili është ndaluar nga policia pranë kufirit me Belgjikën, kanë thënë zyrtarët.

Ai raportohet se është marrë në pyetje, është kontrolluar dhe është lejuar të largohet së bashku me dy persona të tjerë që kanë qenë në makinë.

Policia e ka përshkruar Abdeslamin si të rrezikshëm dhe ka paralajmëruar njerëzit që t’i mos afrohen.

Sipas zyrtarëve, ai është njëri nga tre vëllezërit që kanë jetuar në Belgjikë, por që kanë pasur lidhje me sulmet në Francë.

Njëri nga ta, Brahim Abdeslam, 31 vjeç, thuhet se ka qenë sulmuesi që ka hedhur veten në erë në Bulveradin Voltaire, në Paris.

Vëllai i tretë, Mohammed, është arrestuar në Bruksel pasi është kthyer nga Parisi dhe mbetet në paraburgim.

Policia belge ka thënë se ka arrestuar shtatë persona të dyshuar.

Njëri nga sulmuesit që ka hedhur veten në erë pranë stadiumit të sporteve në Paris, ka jetuar po ashtu në Belgjikë. Ai është identifikuar në media si Bilal Hadfi, 20 vjeç.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se autoritetet do të bastisin lagjen Molenbeek të Brukselit, e cila ka reputacionin e një strehe për xhihadistë.

Një tjetër sulmues i identifikuar i Parisit është Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, i cili ka hedhur veten në erë në sallën e koncerteve Bataclan.

Ai ka pasur dosje penale dhe inteligjenca e Francës e ka cilësuar si ekstremist të mundshëm islamik, i cili mund të ketë kaluar kohë në Siri.

Autoritetet janë duke analizuar edhe origjinën e një pasaporte siriane, e cila është gjetur pranë stadiumit në Paris. Personi në pasaportë thuhet se ka arritur në Greqi dhe se ka kërkuar azil në Serbi.

Një pasaportë egjiptiane që është gjetur po ashtu pranë stadiumit, mendohet se ka qenë e një viktime dhe jo e ndonjë sulmuesi.

Franca është sot në ditën e tretë dhe të fundit të zisë kombëtare. Gjendja e jashtëzakonshme, e cila është shpallur nga presidenti Francois Hollande, mbetet në fuqi. Mijëra policë dhe ushtarë mbeten gjithashtu në rrugët e Parisit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG