Ndërlidhjet

Kapitulli i fundit i dialogut deri në njohje reciproke


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kosova dhe Serbia po hapin kapitullin e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka konfirmuar se takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, i cili tashmë është paralajmëruar për ditën e martë, do të jetë takim i nivelit të lartë politik, i cili do të udhëhiqet nga presidentët e shteteve përkatëse. Sipas tij, edhe takimet tjera të radhës do të udhëhiqen nga presidentët e të dyja vendeve.

“Mendoj që përfundimisht ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, që nënkupton një normalizim në rrafshin politik, të sigurisë, ekonomik, të integrimeve rajonale dhe euro-atlantike, gjithmonë mbi vlerat dhe bazat e perspektivës evropiane të dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me media në Beograd, ka theksuar se nuk ka pritshmëri të mëdha lidhur me takimin e së martës në Bruksel.

Ai ka theksuar se do të kërkoj nga autoritetet evropiane që të mos i japin mbështetje, siç ka thënë ai, “sjelljes së makinerisë luftarake dhe armëve aty ku nuk e kanë vendin”, duke iu referuar reagimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e trenit në territorin e vendit, i cili ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut.

“Nuk pres shumë, por pres qetësimin e situatës. Shpresoj për qetësim të situatës dhe shpresoj që do të ketë porosi të qarta nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, para së gjithash sa i përket përdorimit të makinerisë luftarake dhe armëve. Dëshiroj të besoj që pas kësaj mund ta vazhdojmë bisedën. Pjesëmarrësit e atij bisedimi më kurrë nuk do ta kenë atë lloj besimi, i cili në tre apo katër vjetët e fundit, me siguri që ka ekzistuar, përderisa me dikë është dashur të bisedohet. Do të jetë vështirë të arrihet ndonjë përfundim, por më mirë vështirë se sa fare”, ka thënë Vuçiq.

Por, presidenti Thaçi ka theksuar se për çfarëdo që do të bisedohet në takimin e së martës në Bruksel, aty nuk do të përfshihen çështjet e brendshme të Kosovës.

“Definitivisht, nuk është përcaktuar ndonjë temë, por e di që është krijuar një rrethanë që duhet t’i hyjmë procesit të normalizimit të raporteve ndërshtetërore. Ndërsa, për çështje të brendshme, Kosova do të vendosë vetë. Serbia e ka provokuar rëndë Kosovën me fletarrestimet, e ka provokuar rëndë me trenin, e ka provokuar rëndë me murin (në veri të Mitrovicës). Këto janë çështje të Kosovës dhe Kosova në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta. Kështu që do të funksionojmë si shtet i mirëfilltë”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte njohja nga Serbia për Kosovën, gjë që do të nënkuptonte përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm të dialogut.

Se Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivelin më të lartë në takimin e së martës, ka konfirmuar edhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian.

“Zhvillimi i ngjarjeve të ditëve të fundit, e thekson nevojën që të dyja palët të bëjnë angazhime shtesë dhe të punojnë me përkushtim për dialogun”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë vendimtare për të dyja palët, për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ajo ka theksuar pritjet që të zbatohen marrëveshjet që janë arritur më herët.

Ndërtimi i një muri Mitrovicë të veriut, fletë-arrestet e Serbisë për ish-komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, si dhe treni i nisur nga Beogradi për në Mitrovicën e veriut, javëve të fundit kanë tensionuar situatën e përgjithshme, e cila është përcjellë me retorikë të ashpër nga autoritetet e të dyja vendeve, duke i acaruar marrëdhëniet edhe ashtu tejet të brishta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG