Ndërlidhjet

Bankat komerciale në Kosovë kanë ulur normat e interesit për kredi. Kamatat e kredive tashmë kanë rënë në rreth tetë për qind nga mbi 10 e deri në 15 për qind, sa kanë qenë me vjet të tëra.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se kjo rënie paraqet një lehtësim të rëndësishëm për qasjen e individëve dhe ndërmarrjeve në financimin bankar.

Zvogëlimi i kostos së financimit pritet të shërbejë si faktor i rëndësishëm për nxitjen e rritjes së konsumit dhe investimeve në ekonominë e vendit, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe financiare.

Kjo normë është e favorshme për qytetarët dhe bizneset, thotë Flamur Keqa, drejtor i Institutit për Banka dhe Financa në Kosovë.

Ai për Radion Evropa e Lirë, thekson se ulja e normave të interesit mund të ndikojë në zhvillimin e veprimtarisë së bizneseve, e gjithashtu edhe tek investimet ndërkombëtare.

“Do të krijohen kushte më të favorshme edhe për biznese, por edhe kredimarrje nga ana e qytetarëve, përkatësisht amvisërisë. Kostoja më e ulët e parave, do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe kjo do të ndikojë që bizneset ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre dhe, në anën tjetër, të shihen mundësitë e bashkëpunimit apo bashkë-operimit edhe me ndonjë investitor të huaj. Në këtë formë do të ndikohej edhe në rritjen e investimeve të huaja direkte”, thotë Keqa.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, për Radion Evropa e Lirë thotë se konkurrenca në tregun bankar ka ndikuar në uljen e kamatave dhe kjo ulje do të jetë lehtësuese për qytetarët dhe bizneset.

Edhe Rexhepi, konsideron se ka hapësirë që këto norma të jenë edhe më të ulëta.

“Normalisht, se çdo ulje e normave të interesit për kredi, është lehtësuese për qytetarët dhe bizneset, për shkak se shkalla e ngarkesës është shumë e vogël. Dhe, me një përdorim të mençur të këtyre parave, normalisht se do të ketë zhvillim”.

“A ka hapësirë për ulje të mëtutjeshme? Normalisht se hapësira gjithmonë ekziston, por hapësirën duhet kërkuar jashtë bankave, te ambienti për biznes, te funksionimi i shtetit, efikasiteti i institucioneve,posaçërisht te (funksionimi) i gjyqësisë dhe te garantimi i kontratave”, vlerëson Rexhepi.

Por, Flamur Keqa, thotë se bankat duhet që t’i shqyrtojnë mundësitë për ulje të mëtutjeshme të normave të interesit, pasi, sipas tij, përfitimet do të jenë në dobi të bizneseve, por edhe të vetë bankave.

Do të ishte e mirëseardhur që këto kamata të jenë më ulëta dhe të jenë më konkurruese në tregun financiar ballkanik dhe më gjerë. Do të ishte e leverdishme, jo vetëm për biznese dhe amvisëri, por në anën tjetër do të ishte e leverdishme edhe për vetë bankat, sepse siguria e kthimit të kredive do të ishte më e lartë”.

“Bizneset do të zgjeronin veprimtarinë dhe qarkullimin e tyre financiar. Dhe, normalisht, kjo do të kishte edhe ndikime pozitive edhe në vetë performancën dhe fitimin e bankave komerciale”, shton Keqa.

Kreditë paraqiten kategoria kryesore e sektorit bankar. Në vitin e kaluar vlera e gjithsej kredive në bankat komerciale, ka arritur në më shumë se dy miliardë euro.

Por, bankat nuk qëndrojnë keq as me fitim. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se vitin e kaluar fitimi neto ka arritur në rreth 70 milionë euro apo mbi 22 milionë më tepër se në vitin 2014.

Pavarësisht zvogëlimit të kamatave, procedurat mbesin tepër të vështira për të marrë kredi të caktuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG