Ndërlidhjet

Mitrovicë: Rigjykim ndaj Oliver Ivanoviqit


Rigjykimi i liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, nisi të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e veriut përpara këshillit gjyqësor ndërkombëtar të EULEX-it.

Oliver Ivanoviq u deklarua i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohet nga prokuroria, ndërkohë që në fjalën e tij hyrëse avokati mbrojtës, Nebojsha Vlajiq, tha se Ivanoviq nuk ka asnjë gjë të përbashkët me ngjarjet e prillit të vitit 1999 për çfarë ngarkohet.

Vlajiq tha se “krimi që ka ndodhur, atëbotë, kërkon drejtësi, por drejtësia nuk nënkupton dënim të të pafajshmëve”.

Prokurori Romulo Mateus në fjalën e tij tha se gjatë procesit prokuroria do të sjellë tre dëshmitarë të ri dhe do të paraqes dëshmi të reja materiale.
Por, Oliver Ivanoviq, tha përpara gjykimit se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet për të cilat e ngarkon akuza.

“Absolutisht nuk është e mundur që të më dënojnë kur s’kam asnjë lidhje me këtë gjë, nuk është e mundur. Mund të bëjnë sikur edhe herën e kaluar, por do të ankohem deri në fund, deri në fund të fundit. Nuk do të ketë instancë që nuk do t’i drejtohem”, tha Ivanoviq përpara fillimit të seancës ndërkohë që brenda saj tha: “Absolutisht nuk jam fajtor”.

Avokati mbrojtës, Nebojsha Vlajiq, paralajmëroi se në rigjykim mbrojtja do të sjellë tre dëshmitarë të ri dhe kërkoi heqjen e masës së arrestit shtëpiak si dhe t’i mundësohet Ivanoviqit mbrojtja në liri. Ai ju tha mediave se prêt që akuza të bjerë.

“Pres që të dështojë dhe ta kemi të qartë të gjithë, jo se Oliver Ivanoviq është i pafajshëm, sepse këtë e dinë të gjithë, por ta kenë të qartë që të gjithë se çfare është prokuroria e EULEX-it dhe çfarë është ky mision që ka ardhur të vendos drejtësinë në Kosovë”, tha Vlajiq

Me propozim të prokurorit dhe në pajtim të gjykatës si dhe të palës mbrojtëse është vendosur që me 25 prill të dilet në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Prokurori publik do të thërras që të gjithë dëshmitarët që ka i thirrur edhe më herët rreth kësaj ngjarjeje dhe do t’i marrë në pyetje sërish
Rigjykimi në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e veriut po bëhet përpara një trupi gjykues që drejtohet nga kryetarja Roksana Komsha dhe dy gjykatësve të rinj nga Kroacia e Sllovenia, Iva Nikshiq dhe Franciska Fisher.

Seancat janë përcaktuar deri në fund të muajit qershor.

Gjykimi i Oliver Ivanoviqit u rikthye në fillim, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë, një muaj më parë anuloi vendimin për pikën e parë të akuzës për krime lufte në vitin 1999 ndërkohë që u vërtetua vendimi për lirim nga pika e dytë për krim të kryer në shkurt të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG