Ndërlidhjet

Presidenti amerikan Barack Obama u takua të shtunën me presidentin e Kubës. Raul Castro, duke shënuar kësisoj takimin e parë të nivelit më të lartë pas më shumë se 50 vjetësh.

Të dy presidentët janë pajtuar të ecin drejt përmirësimit të marrëdhënieve të ndërlikuara për shkak të armiqësive shumëvjeçare.

Duke e cilësuar takimin si “historik”, presidenti amerikan tha se të dyja vendet mund t’u japin fund antagonizmave të epokës së “luftës së ftohtë”. Por, ai tha se do të vazhdojë të ushtrojë trysni rreth të drejtave të njeriut dhe demokracisë në vendin komunist.

“Tash jemi në pozitë të ecim përpara drejt së ardhmes”, tha presidenti Obama, duke nënvizuar ndërkaq se mbesin “dallime të thella ndërmjet të dy qeverive”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të flasin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dhe Kuba do të vazhdojë me ngritjen e shqetësimeve rreth politikës amerikane.

“Por, mendoj se me kohë është e mundur që të kthejmë faqen dhe të zhvillojmë marrëdhënie të reja ndërmjet vendeve tona” tha presidenti Obama, i cili ka theksuar se ndër hapat e parë mund të jetë hapja e ambasadave në Uashington dhe në Havana.

Presidenti kuban, Raul Castro, tha se do të ndërmarrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Uashingtonin dhe është i hapur për të diskutuar të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera.

“Jemi të vullnetshëm të diskutojmë për çdo gjë, por duhet të kemi durim, shumë durim. Për disa gjëra do të pajtohemi, për disa nuk do të pajtohemi:, tha presidenti 83 vjeçar, i cili mori postin e liderit të Kubës në vitin 2008, pasi që vëllai i tij i madh Fidel Castro, u largua për shkaqe shëndetësore.

Lideri komunist, Fidel Castro, udhëhoqi revolucionin kuban dhe në janar të vitit 1959 mori pushtetin. Ai u shndërrua në aleat të Bashkimit Sovjetik dhe rivalitetet e sollën botën në buzë të një lufte bërthamore gjatë Krizës kubane të raketave në tetor të vitit 1962.

XS
SM
MD
LG