Ndërlidhjet

Përplasje ndërmjet përfaqësuesve të serbëve në veri


Përfaqësuesit politik të serbëve në institucionet e Kosovës, por edhe ata të institucioneve paralele serbe në veri, e kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, se po bën politikë anti-serbe.

Në një komunikatë të nënshkruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, Ljubomir Mariq, kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, si dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturave “vetëqeverisje lokale”, Zoran Todiq, Ivan Todosijeviq, Stevan Vuloviq, Aleksandar Spiriq dhe Vuçian Jankoviq, është thënë se detyra e Jablanoviqit është “që të shkatërrojë unitetin e popullit serb në veri të Kosovës”.

Reagimi i përfaqësuesve serbë ndaj kryetarit të Leposaviqit, Jabllanoviq, erdhi pas vizitës që kryeministri Isa Mustafa, e bëri në pjesën veriore të Kosovës, të realizuar me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, në Kosovë.

Në komunikatën e përfaqësuesve serbë, që u është dërguar medieve serbe, Jabllanoviq është akuzuar se “ është distancuar nga vendimi i përfaqësuesve politik relevant të serbëve në veri të lumit Ibër, që deri në një vendim të ardhshëm të ndërpriten marrëdhëniet me KFOR-in dhe me këtë, ai e ka dënuar veten me vetizolim”.

Përfaqësuesit politik të serbëve në veri të Kosovës e kanë akuzuar Jablanoviqin se e ka lehtësuar vizitën e autoriteteve të larta të Kosovës në veri të vendit.

“E ka mbështetur vendimin e KFOR-it që ta kontrabandojë në veri të Kosovës estabilishmentin politik të Prishtinës, i cili po e kushtëzon formimin e Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, me çka i është dhënë shuplakë gjithë popullit serb që jeton këtu”, thuhet në komunikate.

Gjithashtu, është thënë se përfaqësuesit politik të serbëve në veri, tash e sa kohë kanë marrë informata për Jabllanoviqin, për “aktivitete të paligjshme të tij, kontakte me shërbimet informative të huaja, si dhe me policinë sekrete të Kosovës”.

Në anën tjetër, kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, u i ka thënë transmetuesit publik në Kosovë se lidhur me deklaratën nga kabineti i kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, për ndërprerjen e bashkëpunimit të kryetarëve të komunave të veriut me KFOR-in, nuk është konsultuar fare.

Sipas tij, nuk është hera e parë që Rakiq, jep deklarata në emër të të gjithë kryetarëve të komunave të veriut.

“Shumë shpesh nuk më kanë lajmëruar as me telefon, që t’më pyesin. Normalisht, nëse është në interes të të gjithëve, unë do të pajtohesha. Por, kjo marrëdhënie e tyre, po me befason. Unë, tash së fundmi, e kam demantuar një komunikatë të tyre. Do t’ia tërheq vërejtjen rakitit, se nuk mund ta bëj këtë”, ka thënë Jabllanoviq.

Ai ka vlerësuar se ndërprerja e bashkëpunimit me KFOR-in nuk është në interesin e serbëve dhe se në një gjë të tillë nuk do të marrë pjesë. (REL)

XS
SM
MD
LG