Ademi: Janë krijuar kushtet për njohjen e Kosovës
19.09.2008
Qeveria e Maqedonisë konsideron se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga zëvendës kryeministri, Abdylaqim Ademi, një ditë pasi shumë media të Maqedonisë, por edhe të shteteve fqinje, kanë paralajmëruar se akti i njohjes së Kosovës do të ndodhë më 22 shtator.
Zoti Ademi, megjithatë, këtë nuk e konfirmon, por thotë se njohja do të ndodhë në momentin kur edhe do t’i nevojitet vetë Kosovës.
- Mendojmë se dalngadalë është krijuar ambient dhe kushte për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo në radhë të parë për të kontribuar në marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore me Kosovën dhe Maqedoninë, pastaj për të kontribuar edhe në lëvizjen e lirë edhe të mallrave edhe të qytetarëve, të shkëmbimit tregtar. Prandaj, konsiderojmë se Maqedonia edhe më herët ka mbajtur një qëndrim parimor se do t'i ndjek hapat e shteteve aleate si të SHBA-ve dhe të vendeve të BE-së, deklaroi Abdylhaqim Ademi.
Sipas tij, qeveria e Maqedonisë është në kontakt edhe me Malin e Zi dhe nuk e përjashton mundesinë që njohja e pavarësisë së Kosovës të ndodhë në të njëjtën ditë.
- Shikuar nga rëndësia se cilat vende e njohin pavarësinë e Kosovës, vlerësojnë se Maqedonia dhe Mali i Zi janë ndër vendet fqinje të Kosovës, që për nga pesha dhe rëndësia politike dhe rajonale, do të duhej ta njohin parvarësinë e Kosovës. Jemi në koordinim jo vetëm me Kosovën por edhe me vendet dhe aleatët tanë, që kjo të ndodh në një ditë dhe në një datë të përbashkët, tha Ademi.